Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deponuar kallëzim penal ndaj ministres serbe, Snezhana Paunoviq, lidhur me deklaratat e saj të fundit, në të cilat, sipas Gërvallës, ajo ka thënë se “do të bënte spastrim etnik në Kosovë”.
Përmes një njoftimi publik, Gërvalla ka theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të heshtin përballë gjuhës së urrejtjes dhe deklaratave që nxisin përçarje e mosdurim.
“Republika e Kosovës nuk hesht dhe nuk përkulet para gjuhës së urrejtjes, thirrjes e nxitjes për përçarje dhe mosdurimit”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo ka rikujtuar se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, duke përmendur numrin e viktimave, personave të zhdukur, të dëbuarve me forcë dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale.
“Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës në Kosovë. Mbi 10,000 civilë shqiptarë humbën jetën, 1,565 persona ende figurojnë të zhdukur, afër një milion qytetarë u dëbuan me dhunë, rreth 20,000 gra, burra e fëmijë u përdhunuan dhe mbi 100,000 shtëpi u shkatërruan dhe u dëmtuan rëndë. Këto ishin pasoja të një fushate sistematike të gjenocidit e spastrimit etnik të kryer nga regjimi serb në Kosovë, të shoqëruar me vrasje, dëbime, dhunë seksuale dhe trajtim çnjerëzor”, ka shkruar Gërvalla.
Ministrja në detyrë nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me procedurat që do të pasojnë pas deponimit të kallëzimit penal.
