Lajme

Gërvalla takon McGrath: Reformat në drejtësi, parakusht për integrimin në BE

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka takuar komisionerin evropian për Demokraci, Drejtësi, Sundimin e Ligjit dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve, Michael McGrath, në kuadër të Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësi, që po mbahet në Budva të Malit të Zi.

Gërvalla ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për prioritetet e Kosovës në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit, bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe përparimin e vendit drejt integrimit evropian.

“Folëm edhe për reformën në drejtësi, me theks të veçantë për themelimin dhe funksionalizimin e plotë të Byrosë Shtetërore, të cilën qytetarët tanë e presin me padurim prej kohësh, si garancë që pasuria e pajustifikueshme të mos fshihet pas pushtetit”, ka shkruar Gërvalla.

Ajo ka theksuar gjithashtu rëndësinë e zbatimit të pakos së ligjeve të reformës në drejtësi, e cila, sipas saj, synon të transformojë rrënjësisht gjyqësorin në Kosovë.

“Theksova gjithashtu se pavarësia e gjyqësorit është themel i shtetit ligjor, por ajo nuk mund dhe nuk duhet të shërbejë si mburojë për askënd që përfshihet në krim dhe korrupsion”, ka deklaruar ministrja.

Gërvalla ka theksuar se reformat në drejtësi janë parakusht për një shtet të fortë ligjor dhe funksional.

“Reformat në drejtësi janë parakusht për një shtet të fortë ligjor dhe funksional. Dhe, Kosova po i çon ato përpara me vendosmëri të palëkundur, duke forcuar mekanizmat e drejtësisë, luftuar në mënyrë efektive korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe garantuar se rruga jonë drejt Bashkimit Evropian është e pakthyeshme”, ka shkruar Gërvalla.

Të Ngjashme