Lajme

Vdes veprimtarja e UÇK-së, Hanëmshahe Ilazi, kontribuoi në logjistikën e luftës çlirimtare

Është ndarë nga jeta profesoresha, shkrimtarja dhe veprimtarja e çështjes kombëtare, Hanëmshahe Ilazi.

Lajmin për vdekjen e saj e ka bërë të ditur Nustret Pllana, ish-prezantues i lajmeve në “Radio Kosova e Lirë”, i cili përmes një njoftimi ka shprehur dhimbjen për humbjen e saj dhe ka kujtuar kontributin që Ilazi dha për çështjen kombëtare.

Pllana ka bërë të ditur se Ilazi është varrosur më 11 nëntor 2026, me nderime dhe e mbështjellë me flamurin kuqezi.

Në mesazhin e tij të lamtumirës, ai e ka cilësuar atë si intelektuale të përkushtuar, humaniste, poete dhe bashkëveprimtare në rrugëtimin e saj kombëtar.

“Vdekja e saj na lëndoi shumë, dhe prandaj, familjes dhe farefisit të saj i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta!”, ka shkruar Pllana.

Ai ka kujtuar gjithashtu bashkëpunimin me të në librin “Fëmijët shqiptarë viktima të gjenocidit shtetëror serb 1981/1999”, duke vlerësuar se veprimtaria dhe veprat e saj do të mbeten pjesë e kujtesës historike.

“Shumë e nderuara bashkëveprimtare e bashkëautore e librit tonë ‘Fëmijët shqiptarë viktima të gjenocidit shtetëror serb 1981/1999’, dhe e shumë veprave tuaja të pavdekshme, do të mbeten në arkivat e historisë sonë të dhimbshme, por krenare, si një margaritar i çmueshëm për gjeneratat e reja dhe brezat që do të vijnë”, ka shkruar ai.

Hanëmshahe Ilazi ishte e njohur për veprimtarinë e saj si shkrimtare, profesoreshë dhe aktiviste e çështjes kombëtare. Gjatë luftës në Kosovë, ajo ishte e angazhuar edhe në logjistikën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në fund të mesazhit të tij, Pllana i ka kushtuar asaj edhe fjalë lamtumire, duke e kujtuar si një bashkëveprimtare që ia kushtoi jetën Kosovës.

“Flij e qetë motër e dashur, në tokën e Kosovës dardane, që aq shumë e deshte. Lamtumirë dhe lavdi e përjetshme jetës dhe veprimtarisë tënde të pavdekshme!”, ka përfunduar ai.

Të Ngjashme