Lajme

Gjanaj dhe Gashi zbërthejnë mesazhet e Kurtit në Paris: Çfarë duhet të fitojë Kosova në diplomacinë ndërkombëtare?

Vizita e kryeministrit Albin Kurti në Paris, në kuadër të Forumit të Paqes 2026, ka rikthyer në vëmendje sfidat dhe kërkesat kryesore të Kosovës në arenën ndërkombëtare, në një periudhë kur vendi vazhdon të përballet me pengesa në procesin e integrimit evropian, mungesën e njohjes nga disa shtete të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe tensionet e pazgjidhura në raport me Serbinë. Takimet dhe paraqitjet e Kurtit në kryeqytetin francez kanë qenë një mundësi për të ngritur çështje që Prishtina i konsideron me rëndësi të veçantë për konsolidimin e shtetësisë dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Francë, Kurti ka kërkuar nga presidenti Emmanuel Macron mbështetje për njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian dhe katër shtetet e NATO-s që ende nuk e njohin pavarësinë e saj. Po ashtu, ai ka ngritur çështjen e përgjegjësisë së Serbisë për sulmin në Banjskë dhe kërkesën për dorëzimin e Milan Radoiçiqit, duke rikujtuar nevojën që kjo ngjarje të trajtohet edhe në raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

Megjithatë, përtej takimeve dhe deklaratave politike, mbetet çështja se çfarë përfitimesh konkrete mund të sjellë kjo vizitë për Kosovën dhe në çfarë mase diplomacia kosovare mund t’i shndërrojë këto angazhime në rezultate të prekshme. Për rëndësinë e vizitës në Paris, mundësitë për avancimin e njohjeve ndërkombëtare, përgjegjësinë për sulmin në Banjskë dhe ndikimin e dialogut me Serbinë në të ardhmen politike e të sigurisë së vendit, për gazetën “Bota sot” kanë folur politologu Ramadan Gjanaj dhe analisti politik e njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Eduard Gashi.

Rëndësia e vizitës

Politologu Ramadan Gjanaj e ka vlerësuar si të dobishme praninë e kryeministrit Kurti në Paris, por thekson se rëndësia e saj duhet të matet me rezultatet konkrete që mund të sjellë për Kosovën.

Sipas tij, Forumi i Paqes i dha Kosovës mundësinë të prezantojë përvojën e rindërtimit pas luftës dhe të krijojë kontakte ndërkombëtare që mund të shndërrohen në bashkëpunime të reja. Megjithatë, ai vlerëson se ndikimi i këtij forumi në proceset vendimmarrëse të Bashkimit Evropian mbetet i kufizuar, pasi vendimet për kandidaturën e Kosovës merren brenda institucioneve dhe shteteve anëtare të BE-së.

“Prania e Albin Kurtit në Paris ishte e dobishme, por duhet parë se çfarë mund të sjellë konkretisht”, shprehet Gjanaj.

Image
Ramadan Gjanaj

Sipas tij, nëse synimi i afërt i Kosovës është marrja e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përparimi në normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin do të ketë peshë të madhe. Ai thekson se BE-ja pret nga të dyja palët zbatimin e zotimeve të marra në Bruksel dhe në Ohër.

Gjanaj e sheh samitin BE–Ballkani Perëndimor, që do të mbahet më 25 nëntor në Bruksel, si një mundësi më të përshtatshme për të parë vullnetin politik të vendeve evropiane.

“Shenja më konkrete do të ishte që ata të pajtoheshin për hapin e radhës lidhur me kërkesën e Kosovës”, thotë ai.

Duke komentuar kërkesën për njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së dhe katër shtetet e NATO-s që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, Gjanaj e cilëson këtë thirrje legjitime. Ai rikujton se pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën janë Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja, ndërsa katër të parat janë gjithashtu anëtare të NATO-s.

Sipas tij, diplomacia e Kosovës duhet të zhvillojë angazhim të veçantë me secilin prej këtyre shteteve, duke marrë parasysh interesat dhe kufizimet e tyre politike. Në këtë drejtim, ai veçon Greqinë si një shtet me të cilin Prishtina mund të punojë menjëherë, për shkak të marrëdhënieve ekzistuese dhe mundësive për thellimin e bashkëpunimit.

“Ajo tashmë ka një zyrë ndërlidhëse në Prishtinë dhe mban marrëdhënie ekonomike me Kosovën. Këto lidhje krijojnë mundësi për t’i thelluar marrëdhëniet me Athinën, pa paragjykuar vendimin e saj për njohjen”, deklaron Gjanaj.

Ai propozon që Kosova të kërkojë mbështetje edhe nga aleatët e saj kryesorë, Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që të mbështesin nisma konkrete dypalëshe. Sipas tij, aty ku njohja e pavarësisë mbetet politikisht e paarritshme, Prishtina duhet të synojë përparim në marrëdhëniet zyrtare, shkëmbimet ekonomike dhe bashkëpunimin rajonal.

Një tjetër çështje e ngritur në Paris ishte përgjegjësia e Serbisë për sulmin në Banjskë dhe dorëzimi i Milan Radoiçiqit. Lidhur me këtë, Gjanaj thotë se Prishtina ka të drejtë të këmbëngulë në kërkesën për dorëzimin e tij, por vëmendja duhet të përqendrohet edhe te mënyra se si po veprojnë organet e drejtësisë në Serbi.

Ai përmend informacionet e publikuara në fund të tetorit, sipas të cilave një komision i Prokurorisë Supreme të Serbisë po shqyrtonte, ndër të tjera, arsyet pse Radoiçiqi nuk ishte vendosur në paraburgim.

“Nëse dorëzimi në Prishtinë mbetet i bllokuar, partnerët e Kosovës duhet t’i kërkojnë Beogradit të sqarojë se çfarë hapash synon të ndërmarrë prokuroria serbe në këtë çështje”, thekson ai.

Gjanaj konsideron se Kosova mund të ushtrojë ndikim kryesisht përmes diplomacisë, duke kërkuar nga Brukseli dhe Uashingtoni që bashkëpunimin gjyqësor për Banjskën ta trajtojnë rregullisht në bisedimet me Beogradin. Megjithatë, ai bën dallimin mes përgjegjësisë penale individuale dhe përgjegjësisë së mundshme institucionale, duke theksuar se kjo e fundit duhet të shqyrtohet vetëm mbi bazën e provave konkrete.

“Duhet të përcaktohet përgjegjësia penale individuale dhe të shqyrtohet, mbi bazën e provave, nëse ka pasur mbështetje nga institucione. Secila prej këtyre çështjeve kërkon prova konkrete”, shprehet Gjanaj.

Duke folur për ndikimin e dialogut me Serbinë në zhvillimet e ardhshme politike dhe të sigurisë në Kosovë, ai thotë se ndryshimi politik në Beograd mund të krijojë mundësi për rifillimin e bisedimeve, por deri ku mund të shkojnë ato do të varet nga vendimet e para të qeverisë së re.

Gjanaj rikujton se Marrëveshja e Brukselit përmban zotime konkrete për të dyja palët, përfshirë nenin 4, i cili parasheh që Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe nenin 7, që parasheh garanci dhe një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.

Sipas tij, BE-ja duhet të kërkojë nga të dyja palët një kalendar për zbatimin e zotimeve dhe rezultate që mund të verifikohen në praktikë. Sa i përket sigurisë, ai thekson se rezultatet e dialogut do të vërehen fillimisht në veri të Kosovës, ku funksionimi i kanaleve të komunikimit, qasja e banorëve në shërbime dhe përparimi i procedurave gjyqësore për Banjskën mund të ndikojnë në uljen e tensioneve.

“Bashkërendimi mes Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, secili në rolin e vet, mbetet thelbësor”, thotë Gjanaj.

Në vlerësimin e tij, dialogu në afat të shkurtër duhet të matet përmes aftësisë së të dyja qeverive për të parandaluar një krizë të re dhe për të respektuar zotimet e tyre.

Mundësi avancuese

Analisti politik dhe njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Eduard Gashi, ka vlerësuar se pjesëmarrja e kryeministrit Albin Kurti në Forumin e Paqes në Paris është një mundësi për avancimin e interesave shtetërore të Kosovës, por sfida kryesore mbetet shndërrimi i deklaratave politike në rezultate konkrete diplomatike.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Gashi ka theksuar se pjesëmarrja në forume të rëndësishme ndërkombëtare nuk duhet të trajtohet vetëm si aktivitet protokollar. Sipas tij, takimet dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me vendimmarrësit evropianë krijojnë mundësi për avancimin e interesave të Kosovës, por suksesi duhet të matet me rezultatet që arrihen pas këtyre angazhimeve.

“Pjesëmarrja e Kosovës në forume të rëndësishme ndërkombëtare duhet parë përtej dimensionit protokollar. Megjithatë, unë do të bëja një dallim thelbësor ndërmjet dukshmërisë diplomatike dhe ndikimit diplomatik. Suksesi matet me atë që mbetet pas përfundimit të tij: marrëveshje, angazhime konkrete, mbështetje politike dhe avancim të interesave shtetërore”, ka deklaruar Gashi.

Duke folur për qasjen diplomatike të Kosovës, ai ka thënë se vendi duhet të kalojë nga një diplomaci që kryesisht rikujton historinë dhe të drejtën për shtetësi, drejt një diplomacie që dëshmon edhe kontributin që mund t’i japë Evropës.

“Historia jonë, lufta për liri dhe ndërhyrja ndërkombëtare mbeten pjesë të pandashme të identitetit tonë shtetëror. Por diplomacia moderne nuk mund të mbështetet vetëm në argumentet historike. Kosova nuk duhet të paraqitet vetëm si një shtet që kërkon mbështetje, por edhe si një partner që ofron stabilitet, siguri, bashkëpunim dhe potencial ekonomik”, ka theksuar ai.

Gashi ka veçuar rëndësinë e marrëdhënieve me Francën, duke marrë parasysh peshën politike të Parisit brenda Bashkimit Evropian. Ndërkaq, sa u përket njohjeve ndërkombëtare, ai ka vlerësuar se pesë shtetet e BE-së që ende nuk e njohin Kosovën nuk duhet të trajtohen si një bllok i vetëm, pasi secili prej tyre ka interesa dhe ndjeshmëri të ndryshme politike.

“Diplomacia kosovare duhet të ndërtojë strategji individuale për secilin shtet, duke identifikuar interesat e përbashkëta dhe mundësitë konkrete për bashkëpunim”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka rikujtuar edhe opinionin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, i cili konstatoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Megjithatë, sipas tij, ky opinion nuk krijon detyrim për shtetet që ta njohin Kosovën, prandaj nevojitet një angazhim më i gjerë diplomatik.

Gashi ka theksuar se, krahas diplomacisë tradicionale, rëndësi duhet t’i kushtohet marrëdhënieve ekonomike, bashkëpunimit parlamentar, shkëmbimeve akademike dhe përfshirjes së diasporës shqiptare.

“Njohja ndërkombëtare nuk arrihet vetëm duke i bindur të tjerët se kemi të drejtë. Ajo kërkon edhe krijimin e kushteve politike në të cilat njohja e Kosovës shihet si kontribut për stabilitetin dhe interesin e përbashkët evropian. Kosova duhet të jetë më aktive në diplomacinë ekonomike”, ka deklaruar ai.

Një tjetër çështje për të cilën ka folur Gashi është sulmi i armatosur në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Ai ka vlerësuar se kjo ngjarje përbën një çështje serioze të sigurisë dhe sundimit të ligjit, por ka kërkuar që të bëhet dallimi ndërmjet përgjegjësisë individuale penale dhe përgjegjësisë eventuale të institucioneve shtetërore serbe.

“Përgjegjësia individuale duhet të përcaktohet përmes procedurave gjyqësore, ndërsa çdo pretendim për përgjegjësi shtetërore duhet të mbështetet në prova të verifikueshme”, ka theksuar ai.

Image
Eduard Gashi

Gashi ka kërkuar që Kosova të vazhdojë dokumentimin profesional të provave dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, ndërsa çështja e Banjskës duhet të jetë vazhdimisht pjesë e diskutimeve me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Sipas tij, mungesa e përgjegjësisë për dhunën e armatosur krijon rrezik për përsëritjen e saj, ndërsa paqja e qëndrueshme kërkon drejtësi, institucione funksionale dhe përgjegjësi.

Ai ka theksuar gjithashtu se përgjegjësia për veprimet e grupeve të armatosura nuk duhet të përgjithësohet ndaj komunitetit serb në Kosovë, pasi qytetarët serbë janë pjesë e shoqërisë kosovare dhe siguria e tyre duhet të jetë përgjegjësi e institucioneve të vendit.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Gashi ka thënë se ai mbetet një prej faktorëve më të rëndësishëm për stabilitetin politik dhe të sigurisë në rajon. Sipas tij, dialogu duhet të shërbejë për administrimin e mosmarrëveshjeve dhe zvogëlimin e rrezikut të konflikteve, por deklaratat politike duhet të shoqërohen me një strategji konkrete negociuese.

“Dialogu nuk duhet kuptuar si një favor që njëra palë ia bën tjetrës. Ai është instrument për administrimin e mosmarrëveshjeve dhe zvogëlimin e rrezikut të konflikteve. Kërkesat e Kurtit në Paris mund të shërbejnë për të riafirmuar pozicionet e Kosovës. Por deklaratat politike duhet të shoqërohen me një strategji konkrete negociuese”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka veçuar rëndësinë e raporteve me Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Francën dhe partnerët e tjerë evropianë, duke theksuar se për një shtet të vogël si Kosova, aleancat ndërkombëtare janë pjesë e sigurisë kombëtare.

Në fund, Gashi ka vënë theksin edhe te dimensioni ekonomik i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Sipas tij, tensionet e vazhdueshme politike ndikojnë në perceptimin e rrezikut nga investitorët ndërkombëtarë, ndërsa Kosova ka nevojë për kapital, vende të reja pune dhe investime.

Ai ka shtuar se ushtrimi i sovranitetit duhet të shoqërohet me ndërtimin e besimit të qytetarëve, përfshirë komunitetin serb në veri. Sipas tij, siguria afatgjatë nuk mund të mbështetet vetëm në polici dhe kapacitete mbrojtëse, por kërkon edhe institucione të besueshme, zhvillim ekonomik dhe respektim të të drejtave të qytetarëve.

“Sovraniteti politik, siguria dhe zhvillimi ekonomik nuk janë tri çështje të ndara. Ato janë tri shtylla që e forcojnë njëra-tjetrën”, ka theksuar ai.

Në përfundim, analisti Eduard Gashi ka vlerësuar se Kosova ka argumente historike, juridike dhe politike për konsolidimin e pozitës së saj ndërkombëtare, por në rrethanat e sotme gjeopolitike nevojitet edhe pragmatizëm diplomatik.

“Në fund, nuk mjafton vetëm të kemi argumente të drejta. Duhet të dimë t’i shndërrojmë ato në rezultate. Sepse shtetësia nuk konsolidohet vetëm duke kërkuar që të tjerët të na njohin. Ajo konsolidohet çdo ditë, përmes institucioneve të besueshme, zhvillimit ekonomik, sigurisë dhe aftësisë për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme ndërkombëtare”, ka përfunduar Gashi për gazetën “Bota sot”.

Të Ngjashme