Garës zgjedhore të 7 qershorit, ia mësynë me gjashtë kandidatë për deputetë.
Ndërsa gjatë fushatës, ishte ndër partitë më kreative.
Por, të gjitha këto, nuk mjaftuan që Partia Social Demokrate, të siguronte ulëse brenda Kuvendit të Kosovës.
Madje, rezultatet preliminare, thonë se gjashtë kandidatët bashkë, i mblodhën vetëm 1883 vota.
E ky rezultat prej 0.24% i befasoi edhe vet kandidatët.
“Ne kemi garuar për herë të parë me gjashtë kandidatë në kushte krejt të pabarabarta. Rezultati nuk është as për afërsisht qysh kemi pritë. Ndonëse, pritjet nuk i kemi pas shumë të larta, por megjithatë as pritjet tona nuk i kemi mbërri. Besoj që fushata është pëlqyer shumë, por jo mjaftueshëm që me na votu. E në këtë pjesë ne duhet me shiku ku ka qenë problem, a ka qenë koha apo mesazhi për këtë punë duhet me u mbledh e me shiku si është puna”, thotë Nol Nushi – sekretari i partisë.
E target i PSD-së gjatë fushatës, ishin partitë opozitare.
Sipas Nushit, legjislatura e kaluar nuk kishte opozitë të mirëfilltë.
“Në këto zgjedhje është dashur me tregu se qysh opozita e fortë i duhet Kuvendit. E ato parti të cilat sot janë në pozitë parlamentare nuk kanë më i bo opozitë këtij pushtetit përkundrazi kanë me u fut në koalicion me të, edhe e pamë këtë menjëherë në deklarimet e para pas zgjedhjeve. Unë mendoj se përveç se kemi humbur ne, Kuvendi e ka humbur një shans me pas një opozitë të vërtetë brenda. Prandaj e kemi pas këtë target që më tregu që nuk jemi as mjet i opozitës po as mjet i pushtetit, edhe besoj që në këto zgjedhje këtë e kemi sqaruar”, shprehet ai.
Pavarësisht rezultatit, PSD nuk mendon të heq dorë nga garat e ardhshme zgjedhore.
“Mesazhi jonë ka depërtua shumë, besoj më shumë se krejt partitë tjera me i mbledh bashkë fushata jonë ka depërtuar shumë. Çka ka munguar është që atë simpati që ka ekzistuar rreth kontentit tonë dhe rreth produktit që e kemi prodhuar ne gjatë kësaj fushate me u përkthyer në votë. Aty është punë më e vështirë se ndoshta me depërtuar është më kollaj sesa me i bind ata që ti je një alternative, në atë pjesë duhet me punu më shumë”, u shpreh Nushi.
Në fund, daljen më të ulët të qytetarëve për të votuar në këto zgjedhje, PSD e cilësoi si mesazh për partitë politike.
