Departamenti për të Mitur ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurës me inicialet M.A., e akuzuar për veprat penale “keqtrajtim apo braktisja e fëmijës” dhe “lëndim i lehtë trupor”.
Sipas njoftimit të Gjykatës, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Shabi Idrizi, pas administrimit të provave personale dhe materiale, e shpalli fajtore të pandehurën për keqtrajtimin e dy fëmijëve dyvjeçarë në një kopsht në Ferizaj.
“E pandehura M.A., u gjykua për veprën penale keqtrajtim apo braktisja e fëmijës nga neni 243 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës me dënim burgimi në kohëzgjatje prej njëmbëdhjetë (11) muaj”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjykata bëri të ditur se për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, M.A. është dënuar me gjashtë muaj burgim, por me pëlqimin e saj ky dënim është zëvendësuar me gjobë në shumën prej 6 mijë eurosh.
“Në bazë të nenit 76 paragrafi 2 të KPRK-së, e pandehura u gjykua me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej njëmbëdhjetë (11) muaj, në të cilin do t’i llogaritet koha e kaluar në arrest shtëpiak, si dhe dënim me gjobë në shumë prej gjashtëmijë (6.000) euro”, thuhet më tej.
Po ashtu, Gjykata i ka shqiptuar të pandehurës edhe dënim plotësues, duke ia ndaluar ushtrimin e profesionit të edukatores për pesë vjet.
Sipas aktakuzës, M.A. akuzohej se më 4 dhe 5 nëntor 2025, në intervalin kohor nga ora 09:00 deri në 14:30, në një kopsht të fëmijëve me inicialet “M.” në Ferizaj, kishte keqpërdorur pozitën e saj si edukatore ndaj dy fëmijëve dyvjeçarë që i ishin besuar për kujdes dhe edukim.
“Me dashje i ka keqtrajtuar ata duke përdorur masa fizike dhe mendore, duke i detyruar me dhunë për të fjetur, duke i shtyrë, tërhequr për flokë dhe përplasur për dysheme”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se më 5 nëntor 2025, e pandehura kishte sulmuar njërin nga fëmijët duke e kapur për flokë dhe duke ia dëmtuar lëkurën në pjesën e kokës.
“Pra duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore – gjendje pas kontuzionit (ndrydhjes) në kokë”, thuhet në njoftim.
Gjykata ka bërë të ditur se kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar, ndërsa ankesa i drejtohet Gjykata e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Ferizaj.
