Lajme

Glorifikimi i ‘Kasapit të Bosnjës’ është turp, BE-ja ta mbajë përgjegjës Vuçiqin

Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian e ka quajtur të turpshme se si presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke lehtësuar kthimin dhe përkujtimin publik të Ratko Mladiqit, po bën një glorifikim të papranueshëm të një krimineli lufte të dënuar dhe autorit të gjenocidit, si dhe një fyerje të rëndë ndaj viktimave të tij.

Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në PE, ka shkruar se Ratko Mladiqi vdiq në burg në Hagë më 27 gusht, ndërsa po vuante dënim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë rolin e tij në gjenocidin e Srebrenicës dhe rrethimin e Sarajevës.

“Ne qëndrojmë fuqishëm në krah të viktimave dhe familjeve të tyre, si dhe të gjithë atyre që vazhdojnë të mbajnë plagët e këtyre mizorive. Duke glorifikuar të ashtuquajturin ‘Kasapi i Bosnjës’, Vuçiqi po tregon edhe një herë përbuzje ndaj vlerave evropiane. Nuk ka vend në Bashkimin Evropian për glorifikimin e kriminelëve të luftës. Jo më shumë tolerim. BE-ja duhet ta mbajë Vuçiqin përgjegjës. Dhe Partia Popullore Evropiane (EPP), e qendrës së djathtë, më në fund duhet të vendosë: a do të vazhdojë ta mbajë partinë e Vuçiqit në radhët e saj, apo do të qëndrojë në mbrojtje të vlerave evropiane?”, thuhet në reagim.

Të Ngjashme