Lajme

Gucati në “Marshin për Liri”: Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së do të ishte goditje ndaj luftës

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka deklaruar se një dënim i ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë do të ishte, sipas tij, më shumë se një goditje ndaj individëve.

Duke folur para qytetarëve në “Marshin për Liri” në Prishtinë, Gucati tha se pjesëmarrësit nuk janë mbledhur për të mbrojtur individë, por për të mbrojtur atë që ai e cilësoi si të vërtetën e Kosovës dhe të luftës për liri.

“Nuk jemi mbledhur për ta mbrojtur individin, por për ta mbrojtur të vërtetën e një populli që luftoi për lirinë. Jemi mbledhur për ta mbrojtur të vërtetën e Kosovës”, u shpreh Gucati.

Ai theksoi se UÇK-ja, sipas tij, ishte ngritur kundër shtypjes dhe kërkoi që procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve të jetë i drejtë dhe i paanshëm, duke respektuar të drejtat e tyre.

“UÇK-ja nuk e krijoi shtypjen, ajo u ngrit kundër saj. Kërkojmë proces të drejtë dhe të paanshëm, me respekt për të drejtat e çdo të akuzuari”, tha ai.

Gucati përmendi gjithashtu mbështetjen që Kosova kishte marrë gjatë luftës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja.

“Një e dimë se dënimi i krerëve të UÇK-së nuk do të ishte thjesht goditje ndaj individëve, por ndaj luftës së UÇK-së. Nga ky dënim do të përfitonte vetëm Serbia dhe Rusia”, deklaroi Gucati./teve1.info/

Të Ngjashme