Lajme

Hapet panairi i turizmit: Prishtina qendër rajonale dhe e bashkëpunimeve ndërkombëtare

Me një ceremoni solemne dhe pjesëmarrje të gjerë vendore e ndërkombëtare, është hapur Panairi Ndërkombëtar i Turizmit “KIFT Kosova 2026”, duke e shndërruar kryeqytetin në një pikëtakim të rëndësishëm të industrisë turistike dhe bashkëpunimeve rajonale.

Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, tha se panairi ka kaluar nga një iniciativë modeste në një platformë të rëndësishme bashkëpunimi dhe zhvillimi të turizmit në vend.

“Turizmi i Kosovës është duke shënuar rritje të dukshme, qoftë në numrin e vizitorëve, rritjen e netë-qëndrimeve dhe po ashtu kemi rritje, nëse e analizojmë vetëm në muajin e fundit, kemi përfundim mbi 40% të rritjes së numrit të vizitorëve tek e njëjta periudhë e kohës paraprake të vitit të kaluar. Sot kemi një numër rekord të operatorëve, të bizneseve të Kosovës që janë prezentë në këtë panair. Kemi mbi 16 shtete pjesëmarrëse dhe kjo është një mënyrë shumë e mirë që të kemi sa më shumë takime, sa më shumë koordinime dhe sa më shumë partneritete në mes të Kosovës dhe të gjithë këtyre operatorëve”, tha Hoti.

Hoti theksoi se Unioni i Turizmit është i gatshëm të marrë përgjegjësi të përbashkëta me institucionet përkatëse për zhvillimin, promovimin, standardizimin dhe zhvillimin e përgjithshëm të industrisë së turizmit në Kosovë.

Nga ana tjetër, këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit Nuredin Nushi vlerësoi se panairi nuk është vetëm hapësirë ekspozimi, por edhe një platformë që promovon identitetin kulturor dhe turistik të vendeve pjesëmarrëse.

“Pjesëmarrja e rreth 400 kompanive nga 20 vende, dëshmon qartë rëndësinë në rritje të sektorit të turizmit dhe rolin e tij në afrimin e vendeve dhe njerëzve. Vendi ynë është i bekuar me një trashëgimi të pasur kulturore, histori të lashtë dhe bukuritë natyrore që ofrojnë përvoja autentike për çdo vizitor. Nga monumentet historike dhe traditat e gjalla, deri te mikpritja e ngrohtë dhe gastronomia unike, ne synojmë të krijojmë një ofertë turistike që frymëzon dhe mbetet në kujtesë. Ministria e Kulturës dhe e Turizmit është e përkushtuar të zhvillojë dhe të promovojë turizmin e qëndrueshëm, duke ruajtur njëkohësisht identitetin tonë kulturor”, u shpreh ai.

Drejtoresha e Turizmit në Komunën e Prishtinës, Rrezarta Aliu, e cilësoi panairin si një platformë të konsoliduar për bashkëpunim dhe rrjetëzim ndërkombëtar, duke potencuar potencialin e madh të kryeqytetit për zhvillim turistik.

“Ky panair, i cili tash e disa vite organizohet nën patronatin e Komunës së Prishtinës, është shndërruar, në një platformë të rëndësishme për bashkëpunim, rrjetëzim dhe promovim të turizmit, si në nivel rajonal, po ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Prishtina ka potencial të madh për t’u zhvilluar si një qytet, një destinacion turistik. Andaj ne, si Drejtori e Turizmit, po ashtu edhe Komuna e Prishtinës, përmes iniciativave tona synojmë ta rrisim këtë potencial dhe ta bëjmë qytetin tonë gjithnjë e më tërheqës për vizitorët.”, tha ajo, duke shprehur mirënjohje për organizatorët dhe partnerët e ngjarjes.

Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe pakicave në Mal të Zi, Fatmir Gjekaj, vuri në pah lidhjet e forta turistike dhe ekonomike ndërmjet Kosovës dhe qytetit bregdetar, duke theksuar se investimet e kosovarëve në Ulqin kanë arritur shifra të konsiderueshme.

“Për ne është më se e rëndësishme, dhe është mund të them ajo pika kryesore, pasi duke ardhur nga qyteti i Ulqinit, aty ku kosovarët e kanë një pjesë të zemrës së tyre, edhe ne e quajmë një pjesë të detit të tyre. Është shumë e rëndësishme për ne dhe nuk është hera e parë që marr pjesë në këto panaire, por është mund të them me të dhjetat herë që vij këtu në Kosovë, për të treguar atë siguri, për të treguar atë çka ofron Ulqini dhe gjithmonë në çdo vit kemi ndryshime. Ajo çka është shumë me rëndësi, që e bën edhe një hap edhe më të madh, është investimi i përbashkët i kosovarëve dhe ulqinakëve në Ulqin, në komplekse edhe turistike, edhe komplekse të tjera me rëndësi. Investimi të cilin e kanë bërë kosovarët në Ulqin tejkalon më se 1 miliard euro. Ndoshta kjo është një shumë që është edhe më e madhe, por po e them kështu përafërsisht”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, ngriti nevojën për një qasje më të gjerë bashkëpunimi në nivel kombëtar, duke propozuar organizimin e një panairi mbarë shqiptar.

“Por, ajo që unë e kam diskutuar edhe me zotin Hoti dhe me mjaft kryetarë komunash apo qoftë edhe me aktorë të ndryshëm të turizmit, kam idenë që ne jemi vende të vogla dhe panairet tona prapë nuk arrijnë atë qëllimin që të jenë një platformë e rëndësishme dhe gjithmonë qëndroj me mendimin që ne të bëjmë një panair mbarëkombëtar, mbarëshqiptar, gjithë hapësirën mbarëshqiptare me qëllim që të promovojmë identitetin tonë kombëtar, një paketë të përbashkët dhe një brand shqiptar mbarëkombëtar. Kështu që, mendoj se kjo do të jetë edhe më e suksesshme, do të ketë një pjesëmarrje më të gjerë dhe mbi të gjitha do të marketojë edhe disa zona shqiptare le të themi që nuk e kanë tashmë atë ndoshta vëmendjen apo atë le të themi marketingun e mjaftueshëm”, tha ai.

Ngjarja kulmoi me prerjen ceremoniale të shiritit, moment që shënoi edhe zyrtarisht hapjen e panairit, ndërsa organizatorët ftuan pjesëmarrësit të eksplorojnë ofertat turistike, të krijojnë partneritete të reja dhe të përjetojnë më të mirën që turizmi ka për të ofruar.

Panairi Ndërkombëtar i Turizmit në Kosovë KIFT 2026, i cili këtë vit ka mbledhur profesionistë të turizmit dhe investitorë nga vendi dhe jashtë tij, me pjesëmarrjen e mbi 20 shteteve dhe rreth 400 kompanive nga e gjithë bota. Ky panair synon të promovojë Kosovën si një destinacion turistik në zhvillim dhe të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi dhe investimi në sektorin e turizmit.

Të Ngjashme