Lajme

Hapini derën Kadastrës ose legalizimi bllokohet dhe dosja mbyllet, si funksionon rregulli i 30 ditëve

Qytetarët që pengojnë punonjësit e Kadastrës të verifikojnë dhe matin objektet e tyre rrezikojnë të humbasin procesin e legalizimit. Rregullat e reja parashikohen në projektligjin që ndryshon ligjin për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë.

Drafti vendos dy mekanizma të ndryshëm 30-ditorë. I pari zbatohet kur poseduesi pengon kontrollin në terren, ndërsa i dyti synon përfundimin e përshpejtuar të procedurës së legalizimit, edhe kur vetë poseduesi nuk ka aplikuar.

Për ndërtimet pa leje, nëse poseduesi pengon konkretisht punonjësit e ASHK-së të përditësojnë gjendjen ndërtimore në terren, Kadastra vendos përjashtimin e objektit nga legalizimi.

Një procedurë pak më e ndryshme zbatohet për objektet pa titull pronësie dhe truallin e tyre funksional. Në këtë rast, moslejimi i matjeve sjell fillimisht pezullimin e dosjes për 30 ditë.

Pas përfundimit të afatit, punonjësit kryejnë një tjetër verifikim. Nëse poseduesi vazhdon të mos lejojë evidentimin në terren, objekti përjashtohet nga procesi i kalimit në pronësi dhe dosja mbyllet.

Drafti vendos afat edhe për rastet kur poseduesi i një ndërtimi pa leje nuk mund të identifikohet. ASHK publikon njoftimin në njësinë administrative, drejtorinë vendore dhe faqen e saj zyrtare.

Nëse brenda 90 ditëve nuk paraqitet askush që provon posedimin e objektit, Kadastra vendos moslegalizimin dhe njofton strukturat përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin e territorit.

Mekanizmi i dytë 30-ditor lidhet me parcelat ku është miratuar një leje zhvillimi ose ndërtimi. Autoriteti përgjegjës për territorin mund t’i kërkojë ASHK-së përfundimin e procedurës së legalizimit brenda 30 ditëve, kundrejt një tarife shtesë.

Kur poseduesi ka aplikuar, nevojitet edhe autorizimi i tij. Por procedura e përshpejtuar mund të kërkohet edhe kur për objektin pa leje nuk ekziston asnjë aplikim.

Në këtë rast, ASHK kryen vetë evidentimin në terren dhe në përfundim njofton autoritetin për vendimin e marrë. Kjo nuk do të thotë se objekti legalizohet automatikisht, por se dosja duhet të marrë një përgjigje përfundimtare brenda afatit.

Qëllimi është që objektet informale të mos mbajnë të bllokuara për një kohë të pacaktuar parcelat ku parashikohen projekte të reja ndërtimi.

Ndryshimet janë ende në fazën e projektligjit dhe do të zbatohen vetëm nëse miratohen dhe hyjnë në fuqi. /skyweb.al

Të Ngjashme