Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur masë disiplinore ndaj prokurores Albjona Papajani, e cila akuzohet se la një qytetar të ndaluar në burg përtej afateve të lejuara.
Sipas raportimeve, prokurorja nuk kishte llogaritur kohën që qytetari kishte kaluar në paraburgim në Greqi dhe për pasojë, ai u detyrua të qëndronte më shumë në qeli. Në këto kushte, KLP-ja e ndëshkoi prokuroren duke i ulur pagën me 10% për gjashtë muaj.
Ky është një ndëshkim më i lehtë nga ajo që kishte kërkuar ILD-ja, e cila kishte propozuar uljen e pagës deri në 40% për një periudhë deri në një vit.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë e cilësoi rastin shkelje të rëndë disiplinore, pasi ishte cenuar drejtpërdrejt e drejta themelore e lirisë personale.
Sipas ILD-së, neglizhenca të tilla krijojnë rrezikun që e njëjta situatë të përsëritet edhe me të dënuar të tjerë.
