Lajme

Kërkohet një muaj paraburgim për të dyshuarin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndalohen 48 parcela pronësore

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj personit me inicialet M.B., i cili është arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Kërkesa është paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari M.B., gjatë vitit 2023, në cilësinë e personit zyrtar përgjegjës për arkivin në Depon e Arkivit Ndërkomunal të Prishtinës, dyshohet se ka keqpërdorur pozitën e tij, duke mos përmbushur detyrat zyrtare lidhur me verifikimin e autenticitetit të dokumentacionit arkivor.

Po ashtu, ai dyshohet se ka ndihmuar në përdorimin e dokumenteve publike të falsifikuara, me qëllim që personi me inicialet N.J., i cili aktualisht gjendet në arrati, të përfitonte në mënyrë të kundërligjshme të drejta pronësore mbi pronën publike.

Në kuadër të hetimeve dhe me qëllim të parandalimit të tjetërsimit apo humbjes së pasurisë që dyshohet se lidhet me këtë veprimtari, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalimin e përkohshëm të 48 parcelave pronësore.

Vlera e përgjithshme e këtyre pronave dyshohet se arrin në miliona euro.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, si dhe në ndjekjen penale të personave që bien ndesh me ligjin.

Të Ngjashme