Nisjet e dy trageteve në linjat Durrës–Bari dhe Bari–Durrës, të planifikuara për mbrëmjen e kësaj të enjteje, janë shtyrë për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike.
Sipas njoftimit të Autoritetit Portual Durrës, tragetet F/B Rigel VII dhe F/B Rigel III, që parashikohej të niseshin në orën 22:00 të datës 12 nëntor, do të kryejnë lundrimin nesër, më 13 nëntor, në orën 08:00.
Ndryshimi prek linjën Durrës–Bari, me tragetin Rigel VII, dhe linjën Bari–Durrës, me tragetin Rigel III.
Autoriteti Portual sqaron se procesi i check-in dhe imbarkimit të pasagjerëve dhe automjeteve do të vijojë normalisht gjatë ditës së sotme, sipas orareve të përcaktuara. Udhëtarët duhet të paraqiten në port sipas orarit të tyre fillestar, pa ndryshime.
Pasagjerët këshillohen të kontaktojnë agjencitë përkatëse të trageteve për informacione të mëtejshme.
