Lajme

​Haxhiu në hapjen e EtnoFest-it: Festivali është lidhur aq fort me Kukajn, sa vështirë të mendohet diku tjetër

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të 16-të të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale EtnoFest, i cili po mbahet në fshatin Kukaj.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se në fjalën e saj para të pranishmëve, Haxhiu ka vlerësuar rolin e festivalit në ruajtjen e kujtesës, traditës dhe trashëgimisë kulturore, duke theksuar se EtnoFest-i është shndërruar në një ngjarje që lidhet ngushtë me identitetin e Kukajt.

Duke iu referuar porosisë së At Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue”, Haxhiu tha se ajo që nuk përcillet rrezikon të humbasë, ndërsa përvojat e njerëzve vazhdojnë të jetojnë përmes kujtesës së brezave të rinj.

“EtnoFest-i e vazhdoi këtë porosi në mënyrën e vet. Prej vitesh, në fshatin Kukaj janë hapur sërish shtëpitë dhe janë mbledhur njerëz në oborre duke ua përcjell të rinjve këngët, tregimet e zanatet që kanë kaluar prej një brezi te tjetri”, u shpreh Haxhiu, sipas komunikatës.

Ajo kujtoi se dikur, kur Kukaj po zbrazej dhe shumë shtëpi po liheshin pas dore, vështirë se mund të parashikohej se ky vend do të shndërrohej në një pikë takimi për artistë dhe vizitorë nga Kosova e më gjerë.

Sipas saj, ideja e festivalit nisi nga një hap i vogël, kur Fadil Hysaj dhe Sheqerije Buqaj një ahur të vjetër prej guri e shndërruan në teatër, ndërsa oborret e shtëpive u kthyen në skena për shfaqjet e para.

“Kështu lindi EtnoFest-i, festival i përvitshëm ku njerëzit kthehen çdo verë”, tha ajo.

Ajo theksoi se tema e këtij edicioni, “Kujtesa”, është vazhdim i natyrshëm i misionit të festivalit, i cili ndërthur artin bashkëkohor me traditat, rrëfimet dhe mjeshtëritë e banorëve të Kukajt.

“EtnoFest-i është lidhur aq fort me Kukajn, sa vështirë të mendohet diku tjetër. Shfaqjet marrin formë sipas shtëpive dhe oborreve ku luhen, ndërsa banorët e mbajnë festivalin të lidhur me jetën e fshatit”, ka deklaruar ajo.

Në fund të fjalimit, ajo uroi që EtnoFest-i të vazhdojë të mbledhë publikun dhe artistët edhe në edicionet e ardhshme, duke mbetur një pikë referimi për ruajtjen dhe promovimin e kulturës tradicionale.

Të Ngjashme