Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë vizitës zyrtare në Bruksel ka zhvilluar një takim në Senatin e Belgjikës me kryetarin Vincent Blondel.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu bëri të ditur se në takim është diskutuar për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Senatit belg, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet grupeve parlamentare të miqësisë.
Ajo tha se ka kërkuar nga Belgjika që të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian.
“Kërkova që Belgjika të vazhdojë ta përkrahë rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Haxhiu.
Një tjetër temë e diskutimit ishte bashkëpunimi në fushën e drejtësisë. Haxhiu rikujtoi se javën e kaluar Kuvendi i Kosovës ratifikoi Traktatin për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale me Belgjikën, pa asnjë votë kundër.
Sipas saj, ky traktat do të lehtësojë punën e hetuesve dhe prokurorëve në rastet kur provat apo dëshmitarët ndodhen në njërin nga dy shtetet.
Në fund, Haxhiu theksoi se Kosova dhe Belgjika kanë një miqësi të gjatë, të cilën synojnë ta thellojnë edhe më tej përmes bashkëpunimit institucional.
