Lajme

Haxhiu për Qosjen: Jetoi dhe krijoi në kohën kur shqiptarët duhej të dëshmonin të drejtat e tyre politike

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur të hënën një seancë të veçantë për të nderuar jetën dhe kontributin e akademikut Rexhep Qosja.

Në këtë seancë, kryetarja e Kuvendit njëherit edhe u.d. e presidentes Albulena Haxhiu, vlerësoi lartë rolin e Qosjes në zhvillimin e kulturës dhe mendimit shqiptar, duke theksuar ndikimin e tij në formësimin e vetëdijes historike dhe intelektuale.

Ajo tha se Qosja ishte një figurë që e shndërroi kulturën shqiptare në hapësirë mendimi dhe përgjegjësie historike, duke vepruar në një kohë kur shqiptarët përballeshin me sfida të mëdha për gjuhën, historinë dhe identitetin e tyre.

Sipas saj, ai iu përgjigj kësaj kohe me vepra letrare, studime, polemika dhe qëndrime publike, duke ndërtuar një profil të fortë intelektual.

Sipas saj, Qosja e zgjeroi studimin e letërsisë shqipe përtej kufijve akademikë, duke e lidhur atë me çështjet themelore të identitetit dhe vetëdijes së një populli.

“Në veprat e tij artistike, e solli njeriun përballë frikës, pushtetit, padrejtësisë dhe dilemave të kohës sonë. Akademik Qosja e nxori studimin e letërsisë shqipe nga kufijtë e një disipline të ngushtë dhe e lidhi me pyetjen më të madhe të kohës së tij: si mbahet gjallë vetëdija e një populli të ndarë, të shtypur dhe të detyruar të mbrojë edhe gjuhën, edhe historinë, edhe të drejtën e vet politike”, tha ajo.

Me një minutë heshtje nis seanca përkujtimore për akademikun Rexhep Qosja

Të Ngjashme