Organizatori i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka bërë të ditur se protestat do të vazhdojnë, pasi sipas tij, kërkesa e protestuesve për miratimin e ligjit nuk ka marrë përgjigje.
Përmes një reagimi, Haziri tha se protestuesit kanë qëndruar për 20 ditë e 20 net në shesh, duke kërkuar miratimin e ligjit.
“Sonte nuk mbeti pa u votuar vetëm një ligj. Sonte mbeti pa përgjigje një kërkesë për të cilën njerëzit qëndruan 20 ditë e 20 net në shesh”, ka shkruar Haziri.
Ai ka përmendur edhe tensionet e krijuara gjatë protestës, duke thënë se mbrëmja u shoqërua me përdorim të gazit lotsjellës dhe përplasje.
“Sonte u vu në provë durimi i tyre. Gaz lotsjellës. Tensione. Përplasje. Por protesta vazhdon. Sepse kjo nuk është vetëm një natë. Është një kërkesë që ende pret përgjigje”, është shprehur ai.
Haziri e ka mbyllur reagimin me një thirrje për deputetët që të votojnë ligjin.
“UÇK-ja na bashkoi atëherë. UÇK-ja po na bashkon përsëri. VOTOJENI LIGJIN. JO NË EMRIN TIM”, ka përfunduar ai./teve1.info/
