Kuriozitete

Historia – 5 fakte që mund të mos i dini për Pokahontasin e vërtetë

Edhe pse jeta e saj nuk pati një fund të lumtur si në përralla, Amonute, e njohur më mirë si Pokahontas, luajti një rol të rëndësishëm në krijimin e marrëdhënieve të para mes amerikanëve vendas dhe kolonëve anglezë.

Emri i saj i vërtetë nuk ishte Pokahontas

Pokahontas ishte vajza e Wahunsenacah, udhëheqësit të Konfederatës Powhatan në rajonin Tidewater të Virxhinias. Në lindje, asaj iu dhanë dy emra: Amonute, emri zyrtar, dhe Matoaka, emri i saj i shenjtë, që njihej vetëm nga prindërit. “Pokahontas” ishte thjesht një nofkë që iu dha në fëmijëri dhe që do të thotë “vajzë lozonjare”.

Më vonë, kur u kap dhe u mbajt peng nga kolonët anglezë në vitin 1613, rrëmbyesit e nxitën të përqafonte krishterimin. Pas pagëzimit, asaj iu dha emri Rebecca.

Me shumë gjasë, ajo nuk ia shpëtoi jetën John Smithit

Në fund të vitit 1607, eksploruesi dhe kolonisti anglez JohnSmith u kap nga njerëzit e Wahunsenacah gjatë një ekspedite në lumin Chickahominy. Smith pretendoi më vonë se, pak para se të ekzekutohej nga rrëmbyesit e tij Powhatan, vajza e re e prijësit, Pokahontas, u hodh mbi të dhe iu lut të atit t’ia falte jetën.

Edhe pse kjo ngjarje dramatike u bë më vonë një nga episodet kryesore të historisë së Pokahontas-it, ekspertët kanë ngritur dyshime se ajo mund të jetë trilluar nga vetë Smith ose, të paktën, është zbukuruar ndjeshëm.

Image

Përveç faktit se është e vështirë të besohet që ndërhyrja e një vajze të vogël mund ta ndalte ekzekutimin e urdhëruar nga një udhëheqës Powhatan, vetë Smith nuk e tregoi publikisht këtë histori deri disa vite më vonë. Në atë kohë, Pokahontas ishte bërë tashmë e njohur ndërkombëtarisht, pas udhëtimit në Angli në vitin 1616, së bashku me bashkëshortin e saj, John Rolfe.

Bashkëshortin e saj e njohu gjatë kohës që mbahej peng

Gjatë Luftës së Parë Anglo-Powhatan, Pokahontas u kap dhe u mbajt peng nga kolonët e Jamestown-it. Për gati një vit, ajo qëndroi në Henricus, një vendbanim anglez në zonën që sot njihet si Chesterfield County, në Virxhinia. Atje mësoi gjuhën dhe zakonet angleze, u pagëzua dhe njohu bashkëshortin e saj të ardhshëm, John Rolfe, një kultivues duhani.

Image

Rolfe u martua me Pokahontas-in më 5 prill 1614, duke shënuar fillimin e një periudhe të re paqeje mes amerikanëve vendas dhe kolonëve anglezë. Vetëm një vit pas martesës, në janar 1615, çifti u bë me fëmijën e tyre të parë dhe të vetëm, Thomas Rolfe.

Vendi i varrit të saj ka humbur

Gjatë kthimit në atdhe, pas një udhëtimi të gjatë në Angli me bashkëshortin dhe djalin e saj, në vitin 1617, Pokahontas u sëmur rëndë. Ajo ishte vetëm rreth 21 vjeçe kur vdiq. Shkaku i saktë i vdekjes mbetet ende i panjohur, megjithëse shumë historianë kanë hedhur si mundësi linë, pneumoninë ose tuberkulozin.

Ajo u varros në kishën St George në Gravesend, në qarkun Kent. Pasi kisha u shkatërrua nga një zjarr në fund të viteve 1720, vendndodhja e saktë e varrit të Pokahontas-it, që mendohet se ndodhej diku nën ndërtesën e kishës, humbi. Në mesin e shekullit XX, në oborrin e kishës u ngrit një statujë në kujtim të saj.

Pas vdekjes së së ëmës, Thomas Rolfe nuk e pa më të atin

Ashtu si nëna e tij, edhe Thomas u sëmur rëndë gjatë udhëtimit të kthimit në Virxhinia. Duke pasur frikë se djali i tij i vogël dhe i sëmurë nuk do t’i mbijetonte udhëtimit për në Amerikë, JohnRolfe i kërkoi Sir Lewis Stukley-t, zëvendësadmiralit të Devonit, të kujdesej për të birin ndërsa ai qëndronte në Angli.

Image

Më vonë, Thomas u rrit nga xhaxhai i tij, Henry, por nuk u bashkua më kurrë me të atin, i cili vdiq nga një sëmundje e panjohur në vitin 1622, rreth pesë vjet pas vdekjes së bashkëshortes së tij.

Të Ngjashme