Ish-banorja e “Big Brother Albania 1” rrëfen periudhën pas daljes nga formati dhe vëmendjen e madhe që mori historia e saj me Olsi Mingomatajn.
Najada Konomi, e njohur për publikun si ish-banorja e “Big Brother 1”, është rikthyer pas shumë vitesh në media, në një intervistë për emisionin “Goca dhe Gra”.
Ajo ka folur për periudhën pas përfundimit të programit televiziv, ku brenda shtëpisë pati edhe një histori dashurie me Olsi Mingomatajn, e cila në atë kohë u komentua dhe u përfol gjerësisht.
Najada, e njohur edhe si Noçja, ka treguar se pas daljes nga “Big Brother”, vëmendja e njerëzve ishte e jashtëzakonshme, duke theksuar se shpeshherë ndaloheshin në rrugë dhe pyetja kryesore ishte për “personin tjetër”.
“Ka qenë ndryshe në Big Brother-in e parë, ne ishim shumë naivë. Ishim shumë të papërgatitur, por atë bujën e madhe që bëri, të gjithë njerëzit na ndalonin. Nëse do të më shihnin vetëm do të pyesnin për personin tjetër, se ku është. Mua më pyesnin për Olsin, ndërsa Olsin e pyesnin ku e ke Noçen”, u shpreh ajo.
Konomi shtoi se në fillim i pëlqente vëmendja, por me kalimin e kohës nisi të kërkonte më shumë privatësi.
“Unë jam shumë tip që më pëlqen të tërheq vëmendjen. Muajt e parë ishte ashtu, më pas doja privatësinë time”, përfundoi ajo.
