LifeStyle

Holliwood – Victoria Beckham pyetet (dhe përgjigjet) sërish për raportin me Brooklyn

Victoria Beckham ka reaguar sërish publikisht lidhur me problemet familjare, duke theksuar se ajo dhe bashkëshorti i saj, David Beckham, e vendosin gjithmonë mirëqenien dhe mbrojtjen e fëmijëve mbi çdo gjë tjetër.

Deklarata e saj vjen në një kohë kur raportet me djalin e tyre të madh, Brooklyn Beckham, duket se janë përkeqësuar. Disa muaj më parë, ai bëri një reagim të fortë në rrjetet sociale, duke akuzuar prindërit se kishin tentuar të ndërhynin në marrëdhënien e tij me bashkëshorten, Nicola Peltz, dhe duke lënë të kuptohet se nuk është i gatshëm për pajtim.

Ndryshe nga ai, Victoria dhe David Beckham kanë zgjedhur të mos flasin shumë për këtë temë, duke shmangur komentet direkte dhe përshkallëzimin e situatës.

Në një intervistë për emisionin Today më 21 prill, stilistja foli për një vit që e përshkroi si sfidues, pa përmendur drejtpërdrejt emrin e djalit të saj. Ajo u ndal te roli i saj si nënë dhe theksoi lidhjen e fortë që ka me familjen.

“Ne gjithmonë i vendosim fëmijët tanë të parët. I duam shumë dhe mbrojtja e tyre ka qenë gjithmonë prioriteti ynë”, u shpreh ajo.

Gjatë intervistës, Victoria vuri në dukje edhe mbështetjen që ajo dhe bashkëshorti i saj kanë gjetur tek njerëzit e afërt në këtë periudhë. Ajo theksoi se lidhja mes saj dhe David-it mbetet e fortë, duke përfshirë edhe raportet e ngushta me familjet e tyre.

“Jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe me prindërit tanë. E mbështesim njëri-tjetrin në çdo gjë që bëjmë”, tha ajo.

Pavarësisht tensioneve familjare, Victoria Beckham u shpreh se ndihet mirënjohëse për jetën që ka ndërtuar, duke theksuar se marrëdhënia me Davidin është forcuar ndër vite.

“Jemi rritur bashkë. Të dy kemi ëndrra të mëdha dhe ambicie, dhe gjithmonë kemi qenë aty për njëri-tjetrin. Dua që ai të jetë versioni më i mirë i vetes dhe ai dëshiron të njëjtën gjë për mua”, përfundoi ajo.

Në vitet e mëparshme, familja Beckham është përballur me thashetheme të ndryshme për tensione, përfshirë mungesat në evente familjare, mosmarrëveshje në dasmë dhe largim gradual nga aktivitetet familjare publike.

Victoria, David dhe pjesa tjetër e familjes nuk kanë dhënë më shumë komente publike për konfliktin, përveç deklaratës së fundit të Victoria-s ku ajo theksoi vetëm dashurinë dhe mbrojtjen për fëmijët e saj.

Të Ngjashme