Tryeza e Dialogut Ndërfetar me temën “Bashkëjetesa ndërfetare ndër ne, virtyt hyjnor apo domosdoshmëri shoqërore?”, e mbajtur gjatë ditës së djeshme, ka mbledhur përfaqësues institucionalë, fetarë dhe të shoqërisë civile në Kosovë.
Qëllimi i tryezës ishte forcimi i bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe harmonisë ndërmjet komuniteteve, duke theksuar dialogun si një mekanizëm kyç për ruajtjen e paqes në një shoqëri multietnike dhe shumëfetare.
Në këtë ngjarje, përfaqësuesi i KFOR-it, US Chaplain LTC Hornback, ka folur për përvojën e tij në Kosovë, duke vlerësuar lartë mikpritjen dhe harmoninë ndërfetare.
“Një gjë që kam vënë re në kohën e shkurtër që kam qenë këtu është se kudo që shkoj në Kosovë, njerëzit punojnë shumë për të më bërë të ndihem si në shtëpi. Ka një nivel mikpritjeje këtu, pavarësisht fesë dhe përkatësisë etnike, që është e paprecedentë në çdo vend tjetër ku kam qenë, dhe jam mirënjohës për këtë,” tha ai.
Ai shtoi se bashkëjetesa ndërfetare është thelbësore për stabilitetin e çdo shoqërie.
“Pajtohem me folësit para meje se bashkëjetesa ndërfetare është edhe virtyt hyjnor, edhe domosdoshmëri shoqërore. Besimi fetar është një forcë e fuqishme: mund të na ndajë ose të na bashkojë, mund të na çojë në luftë ose në paqe,” u shpreh Hornback.
Sipas tij, asnjë shoqëri e larmishme nuk mund të funksionojë pa dialog dhe mirëkuptim të ndërsjellë.
“Asnjë shoqëri e larmishme nuk mund të zgjasë nëse njerëzit nuk mësojnë të jetojnë dhe punojnë në harmoni. Dialogu i sinqertë dhe dëshira për të kuptuar njëri-tjetrin janë thelbësore për bashkëjetesën,” tha ai.
Ai theksoi gjithashtu rolin e liderëve fetarë në ndërtimin e së ardhmes së vendit.
“Ju si udhëheqës fetarë keni ndikim të madh në komunitetet tuaja dhe në të ardhmen e Kosovës. Askush nga jashtë nuk mund ta përcaktojë këtë. E ardhmja varet nga bashkëpunimi i të gjithëve,” tha ai.
Hornback shtoi se është i impresionuar nga njerëzit dhe udhëheqësit fetarë në Kosovë, duke theksuar se “ditët më të mira për Kosovën janë përpara”.
