Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka folur lidhur me projektligjin e propozuar që synon të sjellë ndryshime për mbrojtjen e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Pas mbledhjes së Qeverisë, ku ndër të tjera u vendos për formimin e grupit punues për hartimin e strategjisë shtetërore për Apelin ndaj katërshes së UÇK-së, Hoti deklaroi se nuk është i bindur që projektligji do të sjellë ndryshimet e nevojshme për të garantuar mbrojtjen e duhur për ta.
Ai tha se Qeveria shpreson që partia sponsorizuese e projektligjit të ketë zhvilluar konsultime me akterët e tjerë relevantë dhe me ekipet mbrojtëse në procesin e Apelit.
Megjithatë, ai vuri në pikëpyetje nëse janë ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm gjatë hartimit të tij.
“Ne nuk jemi shumë të bindur për këtë projektligj, por po shpresojmë që partia që e ka sponsorizuar projektligjin është konsultuar me akterët tjerë dhe me Apelin”, deklaroi Hoti para mediave.
Duke komentuar reagimet e Bashkimit Evropian ndaj kësaj nisme, ministri tha se ato ishin të pritshme. Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës parasheh konsultime paraprake me BE-në për ndryshime të tilla ligjore.
Hoti theksoi se mbetet e paqartë nëse projektligji do të arrijë të sigurojë ndryshimet e synuara për mbrojtjen e udhëheqësve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
