Lajme

Hoxha sqaron pse u pezulluan hetimet ndaj Radoiçiqit nga Prokuroria Speciale

Avokati Valdet Hoxha ka komentuar aktakuzën ndaj gjashtë serbëve për rastin e barrikadave në veri më 2022 dhe pezullimin e hetimeve ndaj Milan Radoiçiqit dhe të dyshuarve të tjerë.

Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Hoxha tha se pezullimi i hetimeve është vendim procedural për të shmangur parashkrimin e veprave penale.

“Ashtu siç parashihet procedura për ngritjen e aktakuzës në raste të caktuara parashihen edhe parashkrimi i këtyre veprave penale, prandaj me qëllim të mos kalimit të këtij afati Kodi i Procedurës Penale parasheh edhe pezullimin e fazës së hetimit…”, tha Hoxha.

Ai shtoi se kjo nuk nënkupton mbyllje të rastit, por pezullim të përkohshëm deri në krijimin e kushteve për sjelljen e të dyshuarve para drejtësisë.

“Nuk është përfundim i hetimeve por pezullim i përkohshëm… derisa të bëhet e mundur që të gjithë të dyshuarit të vihen para mekanizmave kompetentë në Republikën e Kosovës”, u shpreh ai.

Hoxha theksoi gjithashtu se të dyshuarit duhet të përballen me drejtësinë, duke respektuar procesin e rregullt gjyqësor dhe prezumimin e pafajësisë.

Të Ngjashme