Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), organizuan tryezë me rastin e publikimit të raportit të IKD-së “Zbatimi i Programit Kombëtar për Kryerësit e Dhunës ndaj Grave në Kosovë (Analizë e kornizës ligjore, praktikës gjyqësore dhe zbatimit institucional)”.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në këtë tryezë diskutimi morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike dhe organizatave vendore e ndërkombëtare, duke reflektuar rëndësinë dhe karakterin ndërinstitucional të temës së trajtuar.
“Të pranishëm ishin përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), Shërbimi Sprovues i Kosovës (SHSK), Akademia e Drejtësisë, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave (ZMNV), strehimoret për viktimat e dhunës, Institucioni i Avokatit të Popullit, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX-i, UNMIK-u dhe KFOR-i, si dhe avokatë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se në fjalën hyrëse, Adelina Berisha, Drejtore e Programit për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës, theksoi se trajtimi i dhunës ndaj grave nuk duhet të fokusohet vetëm në reagimin emergjent dhe ndjekjen penale, por edhe në shërbimet për viktimat dhe rehabilitimin e kryerësve me qëllim të parandalimit të përsëritjes së dhunës.
“Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, shprehu keqardhje për mungesën e përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë në këtë tryezë, duke vlerësuar se kjo nuk reflekton nivelin e duhur të angazhimit institucional ndaj trajtimit të dhunës në familje”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu në njoftim bëhet e ditur se gjetjet e raportit u prezantuan nga Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë në IKD, e cila theksoi se megjithëse Kosova ka krijuar bazën e nevojshme për rehabilitimin e kryerësve të dhunës ndaj grave, Programi Kombëtar ende nuk është funksionalizuar plotësisht.
“Sipas saj, programi vazhdon të zbatohet kryesisht mbi baza vullnetare, ndërsa në asnjë nga 50 aktgjykimet e analizuara gjykatat nuk kanë urdhëruar pjesëmarrjen e kryerësve në programe rehabilituese. Rezniqi theksoi se Programi aktualisht zbatohet vetëm në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ndërsa ende nuk është funksionalizuar në Shërbimin Sprovues të Kosovës, duke kufizuar qasjen e kryerësve në këtë ndërhyrje rehabilituese. Ajo shtoi se raporti evidenton mangësi në kornizën ligjore dhe institucionale, përfshirë mungesën e një akti nënligjor që do të rregullonte organizimin, standardet, monitorimin dhe vlerësimin e Programit”.
Rezniqi po ashtu theksoi se raporti ka identifikuar mospërputhje ndërmjet të dhënave të institucioneve lidhur me numrin e pjesëmarrësve në Program, gjë që krijon paqartësi në vlerësimin e rezultateve reale. Megjithatë, ajo nënvizoi se gjetjet tregojnë edhe zhvillime inkurajuese, pasi pjesëmarrësit kanë demonstruar rritje të vetëdijesimit për sjelljet e tyre, marrje më të madhe të përgjegjësisë dhe reduktim të disa formave të sjelljes abuzive, duke dëshmuar potencialin e Programit. Njëkohësisht, ajo ngriti shqetësimin se vlerësimi i rezultateve aktualisht mbështetet kryesisht në vetëvlerësimin e kryerësve dhe perceptimet e lehtësuesve, pa përfshirë perspektivën e viktimave, gjë që mund të ndikojë në pasqyrimin e plotë të efektivitetit të Programit dhe ndikimit të tij në sigurinë dhe mirëqenien e viktimave.
Duke diskutuar për rëndësinë e Programit Kombëtar, Adelina Berisha nga RrGK theksoi se trajtimi i dhunës ndaj grave nuk duhet të kufizohet vetëm në ndjekjen penale, por duhet të përfshijë edhe rehabilitimin e kryerësve me qëllim të parandalimit të përsëritjes së dhunës.
Në të njëjtën linjë, gjyqtari Albert Haliti vlerësoi raportin e IKD-së si një kontribut të rëndësishëm për llogaridhënien dhe transparencën në sistemin e drejtësisë, duke theksuar se gjetjet e raportit tregojnë ngecje në zbatimin e Programit Kombëtar për Kryerësit e Dhunës ndaj Grave. Ai tha se, pavarësisht sfidave me të cilat përballet sistemi gjyqësor, përfshirë mungesën e stafit dhe burimeve, të dhënat e raportit nuk mund të arsyetohen. Haliti theksoi se Kodi Penal ofron mekanizmat e nevojshëm për rehabilitimin e kryerësve dhe parandalimin e përsëritjes së dhunës, ndërsa u pajtua me rekomandimet e raportit, duke vlerësuar se detyrimet e parapara në nenin 56 të Kodit Penal duhet të bëhen pjesë e praktikës gjyqësore dhe se nevojiten më shumë trajnime për gjyqtarët lidhur me zbatimin e këtyre masave.
Sa i përket zbatimit praktik të Programit, Trëndelina Qorraj nga Shërbimi Korrektues i Kosovës bëri të ditur se janë ndërmarrë hapa për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe se aktualisht 17 zyrtarë janë certifikuar për zbatimin e tij. Ndërkaq, Fusharza Kelmendi nga Shërbimi Sprovues i Kosovës theksoi se programi ende nuk është funksionalizuar në këtë institucion për shkak të sfidave buxhetore dhe operative, duke nënvizuar nevojën për një rol më aktiv të gjykatave në përcaktimin e detyrimeve që lidhen me trajtimin e kryerësve.
