Lajme

Incidenti në Skenderaj para zgjedhjeve, Bytyçi kërkon ndërhyrje të drejtësisë: Situata po del jashtë kontrollit!

Dje në Skenderaj është raportuar një incident i rëndë, ku është sulmuar fizikisht zëvendësministri i Financave dhe kryetari i Qendrës së LVV-së në Skenderaj, Hysni Mehani. Sipas deklarimeve të palëve të përfshira dhe reagimeve publike, në ngjarje është përmendur edhe kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, si i përfshirë në përleshje.

Ngjarja ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe në skenën politike.

Duke parë se një incident i tillë ndodhi pak kohë para hapjes zyrtare

E në lidhje me këtë ngjarje, dhe me atë se a mund të ndikojnë incidente të tilla në klimën politike teksa zgjedhjet po afrohen për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi.

Fillimisht, ai vlerësoi se incidenti në Skenderaj është shumë serioz dhe është sulm ndaj rendit demokratik, ndaj lirisë dhe vetë shtetësisë së Kosovës.

Image
Enver Bytyçi.

“Ngjarja në Skenderaj është shumë serioze dhe e rrezikshme. Prej 14 shkurtit 2025 Kosova shkon vazhdimisht në zgjedhje për shkak të mungesës së bashkëpunimit, por sa kohë po ruhej rendi social, aq kohë nuk kishte shqetësime se situata mund të eskalonte. Sulmi ndaj një zevëndësministrit, kryetar i VV në Skënderaj dhe kandidati për deputet për zgjedhjet e 7 qershorit është sulm ndaj rendit demokratik, ndaj lirisë dhe vetë shtetësisë së Kosovës. Pjesmarrja e Sami Lushtakut dhe “lushtakëve” të tjerë në këtë sulm në prani të një deputeteje të Kuvendit, është sinjal i qartë i dëshprimit të madh që ka opozita destruktive dhe e korruptuar kur qeveriste vendin”.

Sipas Bytyçit ky rast është pasqyrë e realitetit të trishtë politik në vend, si dhe faktit se opozita është në panik të madh, pasi nuk po mund të pajtohen me faktin se fitues i vazhdueshëm i zgjedhjeve është Kurti me LVV-në.

Në këtë pikë, ai përmendi edhe bojkotin për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, derisa tha kjo sipas tij, u bë me qëllim të largimit të Kurtit nga pushteti.

“Hysni Mehani dhe sulmi kundër tij, janë pasqyra e një realiteti të trishtë politik në Kosovë. Partia Demokratike e Kosovës dhe opozita në përgjithësi duket se janë në panik. Atyre u mungon argumenti dhe ku mungon argumenti, mungon edhe fjala. Kur nuk ke fjalë nuk bëhesh dot alternativë. Në këtë rast hyjnë në punë grushtet dhe sulmet fizike. Por këto akte janë tipari i një shoqërie primitive. Megjithatë unë them se nuk është gjendja primitive e shoqërisë që i sjell akte të tilla. Para së gjithash është etja për pushtet. Ish-pushtetarët nuk po mund të pajtohen me faktin se fitues i vazhdueshëm i zgjedhjeve në Kosovë është Albin Kurti me Vetëvendosjen dhe koalicionin e saj. Ata nuk duan ndryshimin e statukuosë juridike të kohës kur qeverisnin, duke grabitur pasuritë e Kosovës, edhe me ligjet që ata i bënin vetë. Tani nuk duan që të japin llogari para ligjit për shkeljet që kanë bërë. Duan të ruajnë priviliegjet ekonomike e financiare të përfituara në emër të luftës e të të qenit pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këto kushte ata organizuan bojkotin institucional dhe bllokuan përpjekjet për zgjedhjen e presidentit të vendit. Mendojnë dhe besojnë se duke shkuar Kosova në zgjedhje të vazhdueshme, atëherë votuesit do ta zvogëlojnë mbështetjen për Kurtin dhe opozita në fjalë, e hunit dhe e konopit, do të kontrollojë pushtetin ekzekutiv dhe do të imponojë pushtetin legjislativ e gjyqësor në favorin e tyre. Qytetarët e Kosovës duhet ta dinë se gjithçka që bëjnë Partia Demokratike, Lidhja Demokratike, AAK-ja dhe Vjosa Osmani kundër qeverisë dhe mazhorancës së zotit Kurti ka për qëllim bllokimin e reformave, ndërprerjen e zhvillimeve ekonomike, sociale dhe në lëmin e politikave të sigurisë së jashtme, me qëllim që të shpallin “paaftësinë” e Albin Kurtit për të qeverisur Kosovën”, shtjelloi mes tjerash ai.

Tutje, profesori tha se fajtorë kryesor pse vendi po përballet me bllokada të pakuptimta dhe zgjedhje të shpeshta janë, PDK, LDK, AAK dhe Vjosa Osmani.

“Jam i vetëdijshëm se edhe kjo qeveri ka difektet e veta në qeverisje. Por unë që e njoh mekanizmin e të majtës ekstreme në Shqipëri (Partisë Socialiste) për ta bllokuar zhvillimin e vendit kur ajo ishte ose është në opozitë, e di se si opozita e Kosovës nxitet dhe merr modelin e Shqipërisë në këtë lojë politike për pushtet. Nëse ka të meta dhe dobësi në qeverisje, më shumë se gjysma prej tij vijnë nga bllokada e opozitës. Nëse Kosova po zhvillon zgjedhjet e treta brenda 17 muajve, kjo vjen për shkak të bojkotit dhe manovrave tipike të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe tani edhe Vjosa Osmanit. Bllokadë e pakuptimtë, si në një lojë kalamajsh, kur një nga fëmijët thotë “Jo, unë jam udhnue me ju dhe nuk luaj”! Gjithmonë këtë e bëjnë ata fëmijë që shohin humbjen. Kështu ndodh dhe me modelin e Sami Lushtakut në të bërit politikë në Kosovë”.

Krahas kësaj, profesor Bytyçi u shpreh se, nuk ka pasur që një kohë të gjatë konfontim fizik si tani, e që fatkeqëshit kjo vjen për shkak të “luftës politike”.

Rastin në Skenderaj, profesori e dënoi ashpër dhe kërkoi reagim të organeve të drejtësisë, pasi nëse nuk merren masa, ky rast nuk do jetë i fundit.

“Kosova nuk ka patur raste kaq ekstreme të konfrontimit politik e fizik si tani. Konfrontimi fizik vjen për shkak të acarimit të luftës politike. Dalja e Vjosa Osmanit në krahun ku ajo ishte para gjatë vitesh dhe fjalimet e saj e kanë thelluar këtë konflikt. Në vend të logjikës dhe racionales tani po flasin shpifjet, etiketimet, trillimet, akuzat e pabaza, të cilat demantohen brenda disa orëve e më në fund edhe rrahjet. Nëse nuk i vihet gishti kokës, mund të shohim në kohët në vazhdim ndonjë konfrontim me vrasje ose plagosje. Kjo dë të shënonte katastrofën e imazhit të Kosovës në opinionin ndërkombëtar.

Edhe ky akt që ndodhi të enjten në Skenderaj me kreun e degës së LVV-së, Hysni Mehani, do ta lëndojë krenarinë e kosovarëve dhe do ta dëmtojë kauzën e Kosovës për implementimin e plotë të lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së saj. Por mendjet e shkurtëra nuk kanë aftësi të thellohen në pasojat e akteve që kryejnë. Mendjet e shkurtëra, kur duan të mbrojnë veprat kriminale të pasurimit të tyre, prodhojnë jo vetëm akte, por edhe kriminelë të mirëfilltë. Kjo ndodhi në Drenicë e madje e shkaktuar nga Lushtakët nuk është e para. Kam bindjen se nëse nuk vepron drejtësia, nuk do të jetë gjithashtu e fundit. Nëse nuk vepron drejtësia edhe në këtë rast, atëherë kjo drejtësi rezulton e kapur dhe duhet reformuar në rrënjë. Sa më gjatë do të lihen të lirë agresorët e dhunës kundër zotit Mehani, aq më shumë do të nxiten incidente dhe akte të tilla turpëruese!” – përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Të Ngjashme