Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha ka njoftuar se punimet në rrugën “Ekrem Rexha – Drini”, në fshatin Lubizhdë të Prizrenit, po zhvillohen me ritëm të mirë dhe më shpejt se afati i paraparë.
Sipas njoftimit, projekti me vlerë prej 2.2 milionë eurosh është investim i Qeverisë, ndërsa procedurat dhe mbikëqyrja e realizimit të tij kryhen nga Komuna e Prizrenit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Basha, deri më tani janë realizuar 1,750 metra kanalizim atmosferik dhe po aq kanalizim fekal, 1,000 metra instalime nëntokësore energjetike dhe të telekomunikacionit, 1,000 metra rrjet të ujësjellësit me kyçje shtëpiake, si dhe 1,000 metra instalime nëntokësore për ndriçim publik.
Basha ka bërë të ditur se në një segment prej 500 metrash ka përfunduar infrastruktura nëntokësore, ndërsa aktualisht po zhvillohen përgatitjet për vendosjen e gurëve skajorë.
Sipas operatorit ekonomik, gjatë muajit gusht pritet të fillojë edhe asfaltimi i rrugës.
Tutje ai tha se investimet në infrastrukturë do të vazhdojnë në komuna të ndryshme, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe përmirësimit të kushteve për qytetarët.
