Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë rikthyer në qendër të vëmendjes pas pretendimeve të Teheranit se marina iraniane ka lëshuar raketa dhe dronë paralajmërues ndaj luftanijeve amerikane në Gjirin e Omanit.
Sipas mediave shtetërore iraniane, marina e Iranit ndërmori këtë veprim pasi akuzoi forcat amerikane për ngacmim të trafikut detar dhe sekuestrim të anijeve tregtare dhe cisternave të naftës në rajon.
Pretendimi vjen vetëm pak orë pasi Komanda Indo-Paqësore e Shteteve të Bashkuara njoftoi se kishte ndaluar gjatë natës anijen M/T DAVINA në Oqeanin Indian.
“Ne do të vazhdojmë zbatimin global të ligjit detar për të ndërprerë rrjetet e paligjshme dhe për të ndaluar anijet që ofrojnë mbështetje materiale për Iranin, kudo që ato operojnë”, deklaroi komanda amerikane në një reagim të publikuar në rrjetin social X.
Autoritetet amerikane nuk kanë konfirmuar raportimet iraniane për lëshimin e raketave apo dronëve ndaj luftanijeve të tyre.
Incidenti vjen në një periudhë tensionesh të shtuara për sigurinë detare në rajon, ndërsa Uashingtoni vijon zbatimin e sanksioneve ndaj eksporteve iraniane të naftës dhe Teherani ka paralajmëruar vazhdimisht për pasojat e veprimeve amerikane në dhe rreth Ngushticës së Hormuzit.
