“Persona non grata”, u shpall nga Kosova, ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq.
Paunoviq ka dhënë deklaratë skandaloze ditë më parë, duke thënë se “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do ta spastronte etnikisht Kosovën në vitin 1998.
Paunoviq së cilës tashmë i ndalohet në mënyrë të përhershme hyrja dhe kalimin tranzit në territorin e Republikës së Kosovës, është kritikuar për deklaratën skandaloze, ndërsa ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se deklarata e ministres serbe përbën vazhdimësi të një politike shtetërore që, sipas tij, për dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre.
Në një njoftim të publikuar në Facebook, Sveçla bëri të ditur se ka nënshkruar vendimin për shpalljen e Paunoviqit si person i padëshirueshëm.
“Si Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, sot kam nxjerrë vendim përmes së cilit Snezhana Paunović e kam shpallur persona non grata, të padëshirueshme, me ndalim të përhershëm të hyrjes në apo kalimit tranzit përmes Republikës së Kosovës. Epoka kur shqiptarët shtypeshin, masakroheshin dhe spastroheshin etnikisht ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”, ka shkruar Sveçla.
Ai theksoi se gjuha e përdorur nga ministrja serbe duhet të dënohet nga të gjitha shtetet, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe nxitëse të urrejtjes.
Sipas Sveçlës, çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me “përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale”.
Luftëtari dhe komandanti i luftës së UÇK-së, ndërsa pas luftës ish-epror i TMK-së, Naim Miftari, për “Bota so”, ka komentuar deklaratën e Paunoviq.
Miftari thotë se ministrja e shtetit fashist të Serbisë është me fat, kjo për shkak edhe të vjedhjeve nga klani i hajdutëve.
“Sa me fat jeni ju, ministre e shtetit fashist të Serbisë, Snezhana Paunović. Jeni me fat, sepse pothuajse mbi 90% e fondeve të luftës që u mblodhën nga bashkëkombësit tanë shqiptarë u vodhën nga aleatët e Serbisë, nga klani i hajdutëve të 3%-shit, në krye me Bujar Bukoshin. Po ashtu, edhe fondi “Vendlindja Thërret” u vodh nga një klan tjetër, në krye me Hashim Thaçin”, shprehet Miftari.
Ai vazhdo të thotë se Serbia është me fat, kjo për shkak se sipas tij, vendet tjera nuk e lejuan UÇK-në të armatosje me armë ushtarake, por luftoi kryesisht me armë personale.
“Fati më i madh për ju, Serbinë, ishte se njerëzit tuaj arritën ta përçajnë luftën tonë të pastër. Një tjetër fat për ju ishte se NATO-ja dhe shtete si Amerika, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe nuk lejuan që UÇK-ja të armatosej me armë ushtarake, por luftoi kryesisht me armë personale AK-47 dhe me armatim nga rezervat territoriale shqiptare të viteve 1960–1970, shpesh vetëm me disa dhjetëra fishekë”, thekson ish- luftëtari.
Në fund, ai e quan fat që ushtarët e UÇK-së nuk i ndyen duart me gjakun e civilëve serbë.
“Një herë, UÇK-ja tentoi të depërtonte në Koshare për ta lidhur frontin me Zonën e Dukagjinit dhe, menjëherë, avionët Mirage francezë të NATO-s bombarduan pozicionet e UÇK-së, duke vrarë dhjetëra ushtarë vullnetarë, nga frika se mos populli shqiptar do ta fitonte luftën vetë dhe nuk do të mbetej i varur nga bashkësia ndërkombëtare, e cila, sipas jush, në masë të madhe ishte pro Serbisë.
Dhe me fat që ushtarët e UÇK-së nuk i ndyen duart me gjakun e civilëve tuaj, nuk vranë civilë serbë, nuk dhunuan gra serbe, nuk zhdukën mijëra kufoma të civilëve serbë, nuk bënë spastrim etnik dhe nuk pushkatuan civilë e të burgosur serbë”, përfundon Miftari.
