Një vendim historik i drejtësisë italiane ka njohur ligjërisht tre prindër për një fëmijë 4-vjeçar – dy baballarë dhe një nënë – duke hapur debat të gjerë në Itali dhe duke nxitur reagime të ashpra nga grupet konservatore katolike.
Vendimi u raportua nga mediat italiane dhe u konfirmua nga avokatja Pasqua Manfredi, përfaqësuese ligjore e njërit prej baballarëve të fëmijës.
Fëmija ka lindur në Gjermani dhe jeton atje me një çift burrash të martuar, ku njëri prej tyre është babai biologjik. Ai erdhi në jetë me ndihmën e një gruaje mike të çiftit, e cila është gjithashtu e njohur si nënë ligjore.
Babai jo-biologjik, me shtetësi italo-gjermane, e kishte birësuar më herët fëmijën sipas ligjit gjerman dhe kërkoi që ky birësim të njihej edhe në Itali. Fillimisht, autoritetet lokale italiane refuzuan kërkesën, duke dyshuar se bëhej fjalë për një rast të nënës surrogate jashtë vendit – praktikë që qeveria konservatore italiane e ka kriminalizuar.
Megjithatë, Gjykata e Apelit në qytetin italian të Bari rrëzoi vendimin e mëparshëm, duke argumentuar se nuk kishte prova për një marrëveshje surrogate dhe se rasti kishte të bënte me tre persona që dëshironin të njiheshin ligjërisht si prindër të fëmijës.
Vendimi tashmë është përfundimtar dhe e vendos Italinë në të njëjtën linjë me Gjermaninë, duke njohur zyrtarisht një strukturë familjare me tre prindër.
“Nuk kishte asnjë marrëveshje sekrete për zëvendësim këtu. Ky është një rast ku tre persona duan të jenë prindërit e këtij fëmije dhe gjykata e pranoi këtë,” deklaroi Manfredi për Reuters.
Çështja u rikthye në qendër të vëmendjes pikërisht në kohën kur Italia shënoi 10-vjetorin e legalizimit të partneriteteve të të njëjtit seks.
Nga ana tjetër, organizata konservatore katolike Pro Vita & Famiglia reagoi ashpër ndaj vendimit, duke e cilësuar atë si një “përmbysje të ligjit familjar” dhe duke paralajmëruar për, sipas saj, “eksperimente sociale dhe ideologjike” që prekin të miturit.
/tiranapost
