Shkencëtarët kanë zbuluar një lidhje të mundshme mes ushqyerjes dhe lodhjes kronike. Të rriturit e shëndetshëm që shfaqnin shenja të mungesës së vitaminës B12 dhe acidit folik kishin më shumë gjasa të përjetonin lodhje ose mungesë motivimi.
Lodhja kronike është bërë një pjesë e zakonshme e jetës moderne. Shumë njerëz përballen me orare të gjata pune, angazhime të shumta dhe një ndjenjë rraskapitjeje që duket se nuk largohet kurrë. Edhe pse lodhja shpesh i atribuohet stresit ose mungesës së pushimit, studiuesit thonë se edhe ushqyerja mund të luajë një rol të rëndësishëm.
Një ekip i udhëhequr nga Hiroaki Kanouchi nga Shkolla Pasuniversitare e Jetës dhe Ekologjisë Njerëzore në Osaka Metropolitan University shqyrtoi nëse mungesa e disa vitaminave mund të lidhej me lodhjen dhe nivelet e motivimit tek të rriturit e shëndetshëm.
Mungesa e vitaminave dhe një tregues i rëndësishëm në gjak
Studiuesit u përqendruan te acidi folik (vitamina B9) dhe vitamina B12, dy lëndë ushqyese thelbësore për funksionimin normal të organizmit. Kur nivelet e këtyre vitaminave bien, zakonisht rritet përqendrimi i homocisteinës (Hcy), një biomarker që matet në gjak.
Për të eksploruar këtë lidhje të mundshme, ekipi analizoi nivelet e homocisteinës, acidit folik dhe vitaminës B12 te gati 600 të rritur japonezë të shëndetshëm. Pjesëmarrësit plotësuan gjithashtu vlerësime mbi lodhjen dhe motivimin përmes pyetësorit Chalder Fatigue Scale dhe një Shkalle Vizuale Analoge.
Analiza fillestare tregoi se personat me nivele më të larta të homocisteinës kishin zakonisht nivele më të ulëta të vitaminës B12 dhe acidit folik, pavarësisht gjinisë.
Më pas, studiuesit analizuan veçmas rezultatet e burrave dhe grave për të kuptuar më mirë lidhjen mes homocisteinës, lodhjes dhe motivimit.
Në analizë u morën parasysh edhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në lodhje, si mosha, kohëzgjatja e gjumit, ngarkesa në punë dhe zakonet ushqimore.
Rezultatet treguan se burrat me nivele më të larta të homocisteinës kishin më shumë gjasa të raportonin lodhje fizike më të madhe. Te gratë, nivelet e larta të homocisteinës lidhej me motivim më të ulët.
Roli i mundshëm i ushqyerjes në lodhjen kronike
“Kjo lidhje e sugjeruar mes vitaminës B12, acidit folik dhe lodhjes tek individët e shëndetshëm mund të jetë raportimi i parë i këtij lloji,” tha Kanouchi.
“Nivelet e homocisteinës në gjak tradicionalisht janë konsideruar shqetësuese për shkak të lidhjes me sëmundjet kardiovaskulare, demencën dhe frakturat. Megjithatë, gjetjet tona sugjerojnë se në të ardhmen duhet t’i kushtohet vëmendje edhe lodhjes dhe motivimit. Për të parandaluar rritjen e homocisteinës, është e rëndësishme të shmanget mungesa e vitaminës B12 dhe acidit folik. Mbajtja e një diete të ekuilibruar çdo ditë është thelbësore.”
Gjetjet sugjerojnë se ushqyerja mund të jetë një faktor i nënvlerësuar që ndikon në ndjenjën e lodhjes dhe uljen e motivimit, madje edhe tek njerëzit e shëndetshëm.
Ndërsa homocisteina është studiuar prej kohësh për lidhjen e saj me sëmundjet e zemrës, demencën dhe frakturat e kockave, ky studim tregon se nivelet e larta të saj mund të kenë edhe një pasojë tjetër të mundshme: t’ju bëjnë të ndiheni më të lodhur dhe më pak të motivuar. / Scitech Daily – Syri.net
