Jimmy Kimmel ka reaguar pas kritikave të presidentit Donald Trump për një shaka të tij ndaj Melania Trump, të cilën e quajti “vejushë e ardhshme”.
Moderatori e bëri këtë koment gjatë emisionit të tij të mbrëmjes, vetëm pak ditë para incidentit me të shtëna me armë në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.
Kimmel e cilësoi shakanë si një “thumbim të lehtë”, duke iu referuar diferencës 23-vjeçare në moshë mes presidentit dhe bashkëshortes së tij.
“Zonja jonë e Parë, Melania, është këtu. Shikojeni Melanian, kaq e bukur. Zonja Trump, shkëlqeni si vejushë e ardhshme,” tha ai gjatë skeçit të së enjtes në mbrëmje.
Në monologun e tij të parë në Jimmy Kimmel Live! pas të shtënave, komediani u shpreh se shakaja ishte “një thumb shumë i lehtë për faktin që Presidenti Trump është pothuajse 80 vjeç dhe ajo është më e re se unë”.
“Nuk ishte në asnjë mënyrë një thirrje për atentat dhe ata e dinë këtë; unë kam qenë shumë i zëshëm për vite me radhë kundër dhunës me armë,” shtoi ai. “Jam dakord që retorika e urrejtjes dhe dhunës duhet refuzuar, por mendoj se vendi ku duhet të filloni është duke biseduar me bashkëshortin tuaj.”
Pas skeçit, Melania Trump e akuzoi Kimmel për përdorim të “gjuhës së urrejtjes dhe dhunës”.
“Ai monolog për familjen time nuk është komedi – fjalët e tij janë gërryese dhe thellojnë përçarjen politike në Amerikë,” tha ajo. “Sa kohë do ta tolerojnë drejtuesit e ABC këtë sjellje të papranueshme?”
Presidenti Donald Trump kërkoi shkarkimin e moderatorit nga emisioni, duke rikthyer në vëmendje përplasjet e mëparshme mes tyre.
/tiranapost
