Lajme

Kamberi publikon dokumentin, dorëzohet kërkesa për shkarkimin e ministres Paunoviq

Grupi Parlamentar “Lëvizja e Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut” dhe Partia për Veprim Demokratik kanë iniciuar procedurën për shkarkimin e ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq.

Lajmin e ka bërë të ditur deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili ka deklaruar se iniciativës i janë bashkuar edhe 47 deputetë të tjerë, duke e nënshkruar kërkesën e përbashkët.

Sipas Kamberit, gjithsej 53 deputetë të opozitës i kanë dorëzuar kryeministrit të Serbisë, Gjuro Macut, kërkesë zyrtare që pa vonesë t’i propozojë Kuvendit shkarkimin e ministres Paunoviq.

Kjo kërkesë vjen pas deklaratave të saj, për të cilat opozita pretendon se kanë arsyetuar spastrimin etnik të shqiptarëve gjatë viteve ’90.

“Kryeministri ka përgjegjësi politike dhe institucionale të reagojë dhe të dëshmojë se në Qeverinë e Serbisë nuk ka vend për një ministre që mbron idetë e dëbimit të njerëzve mbi bazën e përkatësisë së tyre kombëtare dhe që promovon veprime jashtë ligjit dhe procedurave gjyqësore”, ka deklaruar Kamberi.

Ai ka thënë se në rast se kryeministri Macut refuzon të propozojë shkarkimin e saj, atëherë ai do të mbajë përgjegjësi për vazhdimin e mandatit të ministres dhe për, siç u shpreh ai, “normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë”.

Kamberi ka bërë të ditur se iniciativa nuk është mbështetur nga partitë e pakicave nacionale që janë pjesë e qeverisë, duke përmendur partinë boshnjake të Zukorliqit, partinë boshnjake të Lajiqit dhe partinë hungareze të Pastorit.

“Fatkeqësisht, iniciativën tonë nuk e kanë mbështetur partitë e pakicave nacionale, të cilat janë pjesë e qeverisë”, ka përfunduar Kamberi.

Të Ngjashme