Kanë kaluar gati katër vjet që kur Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por vendi ende nuk ka marrë statusin e kandidatit dhe procesi nuk ka shënuar përparim në këtë drejtim.
Kështu ka deklaruar kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, i cili tha se, pavarësisht përparimit në disa fusha dhe zbatimit të reformave, trajektorja e anëtarësimit vazhdon të jetë e bllokuar.
Kosova e dorëzoi aplikimin për anëtarësim më 15 dhjetor 2022. Sipas Zulfajt, që nga ajo ditë nuk është ndërmarrë asnjë hap i mëtejshëm në procedurën e anëtarësimit.
“Për sa i përket trajektores së anëtarësimit, jemi ende në ngecje. Kemi aplikuar për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022. Pra, këtë dhjetor bëhen katër vjet që nga dorëzimi i aplikimit tonë dhe që prej atëherë aplikimi nuk ka ecur asnjë hap përpara”, tha Zulfaj.
Ndërkohë, Kosova vazhdon të ketë statusin e vendit potencial kandidat. Komisioni Evropian ka bërë të ditur se mund të përgatisë Opinionin për aplikimin e Kosovës, nëse këtë ia kërkon Këshilli i Bashkimit Evropian.
Për Zulfajn, marrja e statusit të kandidatit është objektivi i parë, por ai konsideron se procesi nuk duhet të ndalet vetëm te kandidatura.
“Prioriteti është statusi i kandidatit. Por do të shtoja kështu, ashtu siç e theksojmë gjithkund, që vetë statusi i kandidaturës nuk mjafton dhe që hapja e negociatave për anëtarësim do të duhej të bëhej gati në të njëjtën kohë”, u shpreh ai.
Në anën tjetër, sipas tij, Kosova ka avancuar në disa prej detyrimeve që lidhen me integrimin evropian. Vendi ka në fuqi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që nga viti 2016, përfiton nga asistenca e para-anëtarësimit dhe po zbaton agjendën e reformave në kuadër të Planit të Rritjes.
Zulfaj theksoi se BE-ja është donatori dhe partneri më i madh tregtar i Kosovës, ndërsa vlerësoi se integrimi evropian është në interes të të dyja palëve.
Megjithatë, ai tha se vonesat institucionale kanë ndikuar në zbatimin e reformave dhe mund të kenë pasoja edhe në përfitimin e disa fondeve evropiane.
Një tjetër element i përmendur nga Zulfaj është përafrimi i Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Sipas tij, Kosova është plotësisht e harmonizuar me këtë politikë, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë.
“Pra, Kosova është në përputhshmëri të plotë, përkatësisht e përafruar, dhe nuk mendoj që ka ndonjë pengesë reale në këtë drejtim”, tha Zulfaj.
Sa u përket pengesave të tjera në rrugën evropiane, ai përmendi dialogun me Serbinë dhe faktin se pesë vende anëtare të BE-së ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Sipas tij, procesi i integrimit evropian lidhet jo vetëm me anëtarësimin në BE, por edhe me forcimin e sundimit të ligjit, institucioneve demokratike dhe tranzicionit energjetik.
