Lajme

Kënga serbe në aktivitetin e BE-së, eksperti austriak ngre pikëpyetje për përgjegjësinë e Marta Kos

Eksperti austriak dhe aktivisti për integrimin euroatlantik, Günther Fehlinger, ka reaguar pas interpretimit të këngës “Oj Kosovo, Kosovo” në Forumin për Zgjerim të Bashkimit Evropian në Bruksel, duke e cilësuar këtë veprim si politikisht të papranueshëm.

Ai thekson se një këngë e lidhur me pretendimet nacionaliste serbe ndaj Kosovës merr domethënie politike kur interpretohet në një aktivitet zyrtar evropian.

Sipas Fehlingerit, qytetarët e Kosovës meritojnë respekt nga institucionet që kërkojnë prej tyre të besojnë në procesin e integrimit evropian. Për këtë arsye, ai kërkon që Komisioni Evropian dhe komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, të japin shpjegime për incidentin.

“Komisioni Evropian duhet të ketë ekspertizë të mjaftueshme rajonale për t’i njohur këto ndjeshmëri. Komisionerja Marta Kos dhe Komisioni duhet të shpjegojnë se kush e përzgjodhi, shqyrtoi dhe miratoi repertorin, të pranojnë fyerjen e shkaktuar dhe të përcaktojnë përgjegjësinë”, ka deklaruar Fehlinger në një prononcim për “Bota sot”.

Ai kërkon gjithashtu të sqarohet nëse Marta Kos kishte dijeni personale për përzgjedhjen e këngës, por thekson se përgjegjësia e saj për të dhënë një shpjegim institucional është e qartë.

Kritikat ndaj qasjes së BE-së për Kosovën dhe Bosnjën

Fehlinger e vendos këtë incident edhe në një kontekst më të gjerë të politikës së Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës. Ai shpreh shqetësimin se Brukseli mund ta shtyjë përparimin e këtyre dy vendeve për t’iu përshtatur një qeverie të ardhshme në Serbi, e cila, sipas tij, mund të udhëhiqet nga një listë studentore.

Sipas tij, një qeveri e tillë mund të përfshijë një platformë politikisht të larmishme, me anëtarë që kanë qëndrime të ndryshme për Kosovën dhe marrëdhëniet rajonale. Fehlinger vlerëson se, për të ruajtur unitetin e brendshëm dhe për të mos i dhënë mundësi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të mobilizojë opozitën nacionaliste, një qeveri e tillë mund t’i shmanget vendimeve të vështira.

“Brukseli duhet t’i rezistojë tundimit për t’i lënë Kosovën dhe Bosnjën të presin pafundësisht, vetëm për ta mbrojtur këtë koalicion. Brishtësia e brendshme politike e Serbisë nuk mund të shndërrohet në një veto joformale mbi të ardhmen evropiane dhe euroatlantike të fqinjëve të saj”, ka theksuar ai.

Sipas Fehlingerit, një qasje e tillë mund të sjellë një periudhë tjetër të bllokimit politik, e cila mund të zgjasë deri në zgjedhjet e vitit 2029 për Parlamentin Evropian.

Propozimi për Kosovën Federale me pesë rajone shumëetnike

Përballë kësaj situate, Fehlinger propozon që Kosova të ndërmarrë një nismë të re kushtetuese, duke prezantuar modelin që ai e quan “Kosova Federale”, me pesë rajone shumëetnike, si pjesë e një Bashkimi Evropian Federal.

Ai kundërshton modelin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke argumentuar se organizimi i bashkëpunimit mbi bazën e përkatësisë etnike rrezikon ta thellojë ndarjen që, sipas tij, integrimi evropian duhet ta tejkalojë.

“Politikisht, unë e konsideroj modelin e Asociacionit një rrugë pa dalje. Ai duhet të zëvendësohet përmes një marrëveshjeje kushtetuese dhe diplomatike të dakorduar”, ka deklaruar Fehlinger.

Ai sqaron se propozimi i tij nuk nënkupton shmangien e detyrimeve ekzistuese, por ndryshimin e qasjes përmes një zgjidhjeje politike dhe kushtetuese të dakorduar.

Sipas skemës së propozuar, Kosova do të organizohej në pesë rajone me status të barabartë kushtetues, pa pasur asnjëri prej tyre karakter ekskluzivisht etnik. Qendrat rajonale do të ishin Prishtina, Mitrovica, Peja, Prizreni dhe Gjilani.

Rajoni i Prishtinës do të përfshinte kryeqytetin dhe komunat përreth, me fokus në administratë, universitete, kërkime shkencore dhe ekonomi të shërbimeve.

Rajoni i Mitrovicës, sipas tij, do të bashkonte komunitetet në të dyja anët e Ibrit përmes institucioneve të përbashkëta rajonale, duke ofruar garanci të veçanta për gjuhët dhe komunitetet.

Ndërkaq, rajoni i Pejës do të përqendrohej në turizëm, bujqësi, infrastrukturë malore dhe mbrojtjen e trashëgimisë, ndërsa ai i Prizrenit do të pasqyronte karakterin shumëgjuhësor dhe multikulturor të kësaj zone.

Rajoni i Gjilanit do të përfshinte lindjen dhe juglindjen e vendit. Ndërsa përfshirja e Ferizajt dhe komunave përreth do të përcaktohej përmes konsultimeve dhe vlerësimit të lidhjeve infrastrukturore e të shërbimeve.

Fehlinger thekson se këto janë qendra të propozuara dhe jo një hartë përfundimtare e kufijve rajonalë. Sipas tij, përcaktimi i tyre duhet të bëhet duke marrë parasysh distancat, lidhjet ekonomike, shërbimet publike dhe vullnetin e banorëve, pa ndarje etnike apo zhvendosje të detyruar të popullsisë.

Në modelin e tij, rajonet do të kishin kuvende dhe ekzekutivë të zgjedhur, të cilët do të merreshin me zhvillimin rajonal, planifikimin hapësinor, spitalet, menaxhimin e arsimit dhe transportin. Ndërkaq, komunat do të ruanin kompetenca të rëndësishme të qeverisjes lokale.

Në nivelin qendror do të mbeteshin mbrojtja, politika e jashtme, shtetësia, menaxhimi i kufijve dhe përgjegjësi të tjera themelore shtetërore.

Garanci për komunitetet dhe kundërshtim i ndarjeve etnike

Një pjesë të rëndësishme të propozimit të tij Fehlinger ia kushton të drejtave të komuniteteve joshumicë, veçanërisht komunitetit serb në Kosovë. Ai kërkon pjesëmarrje efektive politike, shërbime dhe arsim në gjuhën serbe, mbrojtje nga diskriminimi dhe siguri për trashëgiminë fetare e kulturore.

Në mënyrë të veçantë, ai përmend Kishën Ortodokse Serbe dhe objektet e saj, për të cilat kërkon mbrojtje efektive ligjore. Sipas tij, këto garanci duhet të vlejnë për të gjitha komunitetet dhe në çdo pjesë të Kosovës.

“Të drejtat duhet të vlejnë kudo ku jetojnë njerëzit. Një serb i Kosovës jashtë Mitrovicës duhet të gëzojë të njëjtën mbrojtje themelore si një serb i Kosovës brenda saj. I njëjti parim vlen për shqiptarët, boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët dhe të tjerët”, ka shkruar ai.

Fehlinger kundërshton gjithashtu mundësinë e shkëputjes së rajoneve, krijimin e strukturave paralele të autoritetit nga Beogradi apo të drejtën e vetos etnike që do të mund të bllokonte funksionimin e institucioneve të Republikës.

Ai vlerëson se modeli me pesë rajone shumëetnike do të krijonte një sistem të përbashkët të vetëqeverisjes rajonale, ku edhe serbët e Kosovës do të merrnin pjesë si qytetarë të barabartë, me të drejta të garantuara për komunitetin e tyre.

Në përfundim, Fehlinger kërkon që Bashkimi Evropian ta shqyrtojë seriozisht propozimin e tij dhe të ofrojë një rrugë të besueshme drejt integrimit. Ai u bën thirrje gjithashtu pesë vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë këtë.

Si objektiva të tij politike, Fehlinger përmend anëtarësimin e Kosovës në NATO në vitin 2027 dhe në Bashkimin Evropian në vitin 2029.

“Pesë rajone shumëetnike. Një Republikë sovrane e Kosovës. Shtetësi e barabartë dhe të drejta të garantuara për komunitetet. Kosova Federale në një Bashkim Evropian Federal deri në vitin 2029”, përfundon Fehlinger mesazhin e tij.

Të Ngjashme