Lajme

Kryesia e Kuvendit mblidhet të martën, në rend dite shqyrtimi i parë i Buxhetit për vitin 2027

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet të martën, më 17 nëntor, në orën 15:00, për të diskutuar lidhur me propozimin e rendit të ditës për seancën plenare të radhës.

Sipas njoftimit, mbledhja do të mbahet në sallën C-301, ndërsa në rend dite janë paraparë gjithsej 11 pika.

Ndër çështjet kryesore që pritet të procedohen në seancën e ardhshme është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027.

Po ashtu, deputetët pritet të shqyrtojnë në lexim të parë edhe Projektligjin për Efiçiencë të Energjisë dhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.

Në rendin e ditës janë përfshirë edhe emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, si dhe zgjedhja e anëtarëve të rinj të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), përfshirë dy anëtarë nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet joshumicë.

Një tjetër pikë e rëndësishme është rekomandimi për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Ndërkaq, në mbledhje do të shqyrtohet edhe propozimi i Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit të këtij subjekti në Komisionin Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Kryesia do të shqyrtojë gjithashtu procedimin e nismave legjislative të qytetarëve për hartimin e projektligjeve nga Kuvendi, krahas pikave të zakonshme të seancës, si deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

Të Ngjashme