Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një zyrtari policor, të dyshuar për organizim të bixhozit të paligjshëm.
Sipas njoftimit zyrtar, kërkesa është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, dega në Shtërpcë, ndaj të pandehurit me inicialet E.L., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria bën të ditur se ekziston dyshimi i bazuar që nga janari i vitit 2026, në territorin e komunës së Shtërpcës, i pandehuri ka organizuar lojëra të fatit pa leje nga organet kompetente, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.
Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka organizuar këto lojëra në mënyrë online përmes faqes “888verona.club”, duke i dërguar kredi në një llogari të të dëmtuarit me inicialet M.R. Si pasojë e pjesëmarrjes në këto lojëra, borxhi i të dëmtuarit ka arritur në 14 mijë e 500 euro, prej të cilave 2 mijë euro tashmë janë paguar, ndërsa për pjesën tjetër prej 12 mijë e 500 euro, i pandehuri dyshohet se ka ushtruar presion për pagesë.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, i dyshuari dyshohet se ka kryer veprën penale të paraparë me nenin 294, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, i pandehuri që nga 16 prilli 2026 ndodhet nën masën e ndalimit 48-orësh, me vendim të Prokurorit të Shtetit.
