Anëtari i Komisionit për Kulturë, Turizëm dhe Sport, Bylbyl Sokoli, ka propozuar që Këshilli Organizativ i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” të raportojë në mënyrë të rregullt për ecurinë e përgatitjeve për organizimin e këtij eventi sportiv.
Gjatë mbledhjes së sotme të komisionit, Sokoli ka kërkuar që gjatë vitit të ardhshëm të ketë raportime periodike, së paku një herë në muaj ose çdo dy muaj, për të informuar anëtarët e komisionit rreth progresit të arritur, pengesave të mundshme dhe fazës në të cilën ndodhen përgatitjet.
“Kam propozuar që Këshilli Organizativ të na informojë në lidhje me arritjet, deri ku kanë mbërri rreth Lojërave Olimpike (Mesdhetare), këtu po shoh që është, por te plani i punës është i lidhur me këtë. Kisha propozuar që së paku për vitin e ardhshëm, një herë në muaj, një herë në dy muaj, të raportohet deri ku kanë arritur, cilat janë pengesat, a jemi afër, në mënyrë që të jemi të saktë”, tha Sokoli.
Propozimi i tij synon që komisioni të ketë informata të vazhdueshme për përgatitjet e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, me fokus në rezultatet e arritura dhe sfidat që mund të ndikojnë në realizimin e këtij projekti sportiv.
