Lajme

Presidentja u zgjodh, por a u kthye Kosova në normalitet? Analistët zbulojnë çfarë e pret vendin

Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës Presidente e Kosovës ka shënuar një zhvillim të rëndësishëm politik, duke i dhënë fund pasigurisë disamujore rreth kreut të shtetit. Pas një periudhe të gjatë krizash politike dhe vështirësish në funksionimin e institucioneve, ky zhvillim ka rikthyer vëmendjen te stabiliteti institucional dhe sfidat që e presin vendin.

Megjithatë, përfundimi i bllokadës për zgjedhjen e Presidentes nuk nënkupton domosdoshmërisht se Kosova i ka tejkaluar të gjitha problemet politike.

Tashmë, vëmendja është përqendruar te mënyra se si do të funksionojnë institucionet dhe nëse klasa politike do të arrijë të bashkëpunojë për çështjet me rëndësi shtetërore.

A i është kthyer Kosova normalitetit institucional pas zgjedhjes së Presidentes së re? Çfarë roli mund të luajë Justina Shiroka-Pula në ruajtjen e stabilitetit politik?

Pikërisht për këto çështje, për “Bota sot” kanë folur analisti Zejnulla Jakupi dhe Eduard Gashi. Derisa Jakupi vlerëson se zgjedhja e Presidentes është një hap pozitiv, por se normaliteti institucional kërkon më shumë sesa plotësimin e pozitave shtetërore, Gashi thekson se Kosova nuk mund të mbetet peng i egove partiake dhe se ky zhvillim duhet të shërbejë si pikënisje për një kulturë të re politike.

Jakupi: Zgjedhja e Presidentes është hap pozitiv, por normaliteti kërkon rezultate konkrete

Fillimisht, analisti Zejnullah Jakupi vlerëson se zgjedhja e Presidentes së re përbën një zhvillim pozitiv për Kosovën, pasi i jep fund bllokadës institucionale dhe krijon mundësi për stabilitet politik. Megjithatë, sipas tij, është ende herët të flitet për një kthim të plotë në normalitet.

Image
Zejnullah Jakupi

“Zgjedhja e Presidentes së re është një hap pozitiv, sepse i jep fund një bllokade institucionale dhe krijon mundësi për stabilitet politik. Megjithatë, mendoj se është ende herët të flasim për kthim të plotë në normalitet. Normaliteti institucional nuk nënkupton vetëm plotësimin e pozitave shtetërore, por funksionimin e rregullt të institucioneve, bashkëpunimin politik dhe marrjen e vendimeve në interes të qytetarëve”.

Duke folur për pritshmëritë ndaj Presidentes së re, Jakupi në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” potencoi se përvoja akademike është një element i rëndësishëm, por ushtrimi i kësaj detyre kërkon edhe aftësi praktike, vendimmarrje dhe përgjegjësi institucionale.

Sipas tij, Justina Shiroka-Pula duhet të dëshmojë se mund ta ushtrojë detyrën presidenciale në mënyrë efektive, duke sjellë një qasje që i përshtatet përgjegjësive të këtij institucioni.

“Presidentja vjen nga fusha akademike dhe zgjedhja e saj është përshëndetur. Por, natyrisht, pritshmëritë janë që ajo të sjellë një qasje të re në ushtrimin e detyrës. Akademia dhe institucionet shtetërore kanë dinamika të ndryshme. Në këtë pozitë kërkohen jo vetëm njohuri dhe përgatitje teorike, por edhe vendimmarrje, përgjegjësi, komunikim politik dhe veprim konkret.

Nëse mënyra e punës mbetet kryesisht teorike dhe nuk shoqërohet me iniciativa e rezultate të prekshme, ekziston rreziku që ndikimi i saj të jetë i kufizuar. Presidentja duhet ta dëshmojë veten përmes veprimeve, duke respektuar Kushtetutën dhe kompetencat e saj”, është shprehur Jakupi.

Ai vlerëson se Presidentja e re mund të luajë rol të rëndësishëm në tejkalimin e tensioneve politike, veçanërisht përmes nxitjes së dialogut dhe ruajtjes së stabilitetit institucional. Megjithatë, sipas tij, përgjegjësia për tejkalimin e krizës nuk mund të bartet vetëm nga kreu i shtetit, por kërkon angazhim nga të gjitha partitë politike.

“Presidentja mund të luajë rol të rëndësishëm në nxitjen e dialogut dhe në ruajtjen e stabilitetit institucional, por nuk mund ta zgjidhë e vetme krizën politike. Kjo kërkon përgjegjësi nga të gjitha partitë, si nga pozita, ashtu edhe nga opozita.

Zgjedhja e saj mund të jetë pikënisje për bashkëpunim, por marrëveshjet duhet të shtrihen edhe në çështje të tjera të rëndësishme. Nëse vazhdojnë polarizimi dhe bllokadat parlamentare, atëherë zgjedhja e Presidentes do të mbetet vetëm një zgjidhje formale, pa ndikim të mjaftueshëm në stabilitetin e vendit”, ka deklaruar Jakupi.

Sa u përket sfidave që e presin Kosovën në muajt e ardhshëm, Jakupi përmend funksionimin e Kuvendit dhe Qeverisë, zbatimin e reformave, forcimin e sundimit të ligjit dhe përparimin në procesin e integrimit evropian. Ai thekson se rëndësi të veçantë kanë edhe zhvillimi ekonomik, dialogu me Serbinë dhe ruajtja e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.

Megjithatë, sipas tij, rezultatet e institucioneve duhet të maten edhe nga ndikimi i drejtpërdrejtë që kanë në jetën e qytetarëve.

“Sfidat kryesore janë funksionimi i Kuvendit dhe Qeverisë, zbatimi i reformave, forcimi i sundimit të ligjit, përparimi në integrimin evropian dhe zhvillimi ekonomik. Po ashtu, rëndësi kanë dialogu me Serbinë dhe ruajtja e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.

Por qytetarët presin rezultate konkrete: më shumë mundësi punësimi, shërbime publike më cilësore dhe një perspektivë më të mirë për të rinjtë. Prandaj, energjia politike duhet të përqendrohet te zgjidhja e problemeve të qytetarëve dhe jo te konfliktet e vazhdueshme ndërmjet partive”, ka theksuar ai.

Jakupi nënvizon se suksesi i Presidentes së re nuk duhet të vlerësohet vetëm në bazë të deklaratave për bashkëpunim, por përmes veprimeve konkrete dhe aftësisë për të kontribuar në një klimë më të qëndrueshme politike.

“Suksesi duhet të matet me veprime konkrete, me aftësinë për të ushtruar përgjegjësitë kushtetuese, për të nxitur komunikimin ndërinstitucional dhe për të kontribuar në një klimë më të qëndrueshme politike.

Nuk mjaftojnë deklaratat për bashkëpunim; duhet të shohim rezultate në praktikë. Presidentja duhet të jetë faktor stabiliteti dhe të veprojë në interes të shtetit, duke ruajtur paanshmërinë institucionale dhe duke respektuar ndarjen e pushteteve”, është shprehur Jakupi.

Në fund, analisti u bën thirrje partive politike që zgjedhjen e Presidentes të mos e konsiderojnë përfundim të krizës, por një mundësi për të ndryshuar qasjen ndaj përgjegjësive shtetërore.

“Mesazhi im është që zgjedhja e Presidentes të mos konsiderohet përfundim i krizës, por fillim i një faze të re të përgjegjësisë politike. Partitë duhet të kuptojnë se interesat shtetërore dhe nevojat e qytetarëve duhet të jenë mbi interesat partiake.

Kosova ka nevojë për institucione që funksionojnë, për vendime që zbatohen dhe për politika që sjellin rezultate. Debatet politike janë pjesë e demokracisë, por ato nuk duhet ta paralizojnë shtetin.

Në përfundim, zgjedhja e Presidentes së re krijon një mundësi për stabilitet institucional, por suksesi do të varet nga mënyra se si ajo do ta ushtrojë detyrën dhe nga gatishmëria e gjithë klasës politike për të bashkëpunuar. Qytetarët nuk presin vetëm ndryshime formale, por rezultate të prekshme. Kosova ka nevojë për më pak bllokada, më shumë vendimmarrje dhe institucione që japin llogari për punën e tyre”, ka përfunduar Jakupi.

Gashi: Kosova nuk mund të mbetet peng i egove partiake

Në anën tjetër, Eduard Gashi vlerëson se zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës Presidente e Kosovës përbën një zhvillim të rëndësishëm për kapërcimin e krizës institucionale. Megjithatë, ai për “Bota sot” thekson se përfundimi i bllokadës nuk duhet t’i lërë në hije shkaqet që e çuan vendin në këtë situatë.

Image
Eduard Gashi

Sipas Gashit, klasa politike duhet të japë llogari për mënyrën se si i ka menaxhuar përgjegjësitë e saj kushtetuese, veçanërisht kur bëhet fjalë për funksionimin e institucioneve dhe arritjen e marrëveshjeve politike.

“Zgjedhja e znj. Justina Shiroka-Pula Presidente e Republikës së Kosovës përbën një zhvillim të rëndësishëm për kapërcimin e krizës së gjatë institucionale. Ajo krijon një mundësi të re për stabilitet politik, vazhdimësi shtetërore dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e vendit.

Megjithatë, zgjedhja e Presidentes nuk duhet të na bëjë të harrojmë shkaqet që e sollën Kosovën deri në këtë situatë.

Fakti më domethënës është se emri i znj. Shiroka-Pula ishte përmendur që më 4 mars 2026 në diskutimet për një kandidate konsensuale. Edhe pse atëherë nuk kishte kandidaturë zyrtare dhe vetë ajo kishte deklaruar se nuk ishte kontaktuar, ekzistonte tashmë një mundësi konkrete për ta shqyrtuar këtë alternativë.

Prandaj shtrohet një pyetje legjitime: përse u deshën kaq shumë muaj për të arritur një marrëveshje që mund të ishte shqyrtuar shumë më herët?

Kjo pyetje nuk i drejtohet Presidentes së re, por klasës politike, e cila duhet të japë llogari për mënyrën se si i ka menaxhuar përgjegjësitë e saj kushtetuese”, ka deklaruar Gashi.

Ai thekson se institucionet shtetërore nuk duhet të shndërrohen në mjete të rivaliteteve politike dhe ambicieve personale, duke vënë në pah se interesi i Republikës duhet të jetë mbi çdo kalkulim partiak.

“Shteti nuk është pronë e partive politike. Institucionet nuk janë peng i ambicieve personale dhe Kushtetuta nuk është instrument për pazare të pafundme politike.

Në një demokraci funksionale, kompromisi nuk është dobësi, por pjekuri shtetërore. Problemi lind kur egot personale, rivalitetet partiake dhe dëshira për të mos i dhënë kundërshtarit një sukses politik vendosen mbi interesin e Republikës.

Një politikë që merret vazhdimisht me pengimin e institucioneve, në vend të funksionimit të tyre, duhet të përballet me një pyetje thelbësore: çfarë rezultatesh konkrete ka sjellë për qytetarët?

Kush di vetëm të bllokojë, nuk ka dëshmuar se di të ndërtojë. Kush di vetëm të pengojë, nuk ka treguar se di të udhëheqë”, është shprehur Gashi.

Megjithatë, Gashi nënvizon se kritika dhe kundërshtimi janë pjesë e domosdoshme e demokracisë, por ato nuk duhet të shndërrohen në pengesë për funksionimin e shtetit. Sipas tij, përgjegjësia për arritjen e kompromisit nuk i takon vetëm opozitës, por edhe shumicës qeverisëse.

“Sigurisht, opozita është e domosdoshme për demokracinë. Kritika, kontrolli parlamentar dhe kundërshtimi i vendimeve të gabuara janë pjesë e sistemit demokratik. Por duhet bërë dallimi ndërmjet opozitarizmit konstruktiv dhe një politike që e shndërron bllokadën në qëllim më vete.

Njëkohësisht, edhe shumica qeverisëse ka përgjegjësinë të kërkojë konsensus në çështjet që kërkojnë mbështetje të gjerë kushtetuese. Askush nuk mund të kërkojë përgjegjësi nga të tjerët duke shmangur përgjegjësinë e vet”, ka deklaruar ai.

Duke folur për Presidenten e re, Gashi vlerëson se përvoja e saj akademike, qeveritare dhe institucionale përbën një pjesë të rëndësishme të profilit të saj. Ai thekson se institucioni presidencial duhet të ruajë pavarësinë dhe autoritetin kushtetues, duke kontribuar në unitetin shtetëror.

“Në këtë kontekst, Presidentja Justina Shiroka-Pula hyn në detyrë me një përvojë të gjatë akademike, qeveritare dhe institucionale. Angazhimi i saj në jetën publike dhe drejtimi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës përbëjnë elemente të rëndësishme të profilit të saj.

Presidentja duhet të ketë mundësinë ta ushtrojë mandatin e saj me dinjitet, pavarësi dhe autoritet kushtetues. Institucioni presidencial nuk duhet të bëhet vazhdimësi e përplasjeve partiake, por të jetë një faktor i unitetit shtetëror dhe i respektimit të rendit kushtetues.

Respektimi i Presidentes është, para së gjithash, respektim i institucionit që ajo përfaqëson”, është shprehur Gashi.

Sa u përket zhvillimeve të ardhshme politike, Gashi veçon tri sfida kryesore: konsolidimin e institucioneve dhe rikthimin e përgjegjësisë politike, forcimin e sovranitetit dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, si dhe zhvillimin ekonomik e rikthimin e besimit të qytetarëve.

Ai thekson se secili institucion duhet t’i ushtrojë përgjegjësitë e veta, ndërsa vendimmarrja duhet të përqendrohet te rezultatet dhe jo te përplasjet politike.

“Sa i përket muajve të ardhshëm, tri sfida do të jenë veçanërisht të rëndësishme.

Së pari, konsolidimi i institucioneve dhe rikthimi i përgjegjësisë politike. Kuvendi duhet të funksionojë si organ ligjvënës dhe kontrollues, Qeveria duhet të përqendrohet te rezultatet konkrete, ndërsa Presidentja duhet të ushtrojë përgjegjësitë e saj në përputhje me Kushtetutën.

Së dyti, forcimi i sovranitetit dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Pavarësia e Republikës së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, është themeli i rendit të saj shtetëror. Dialogu me Serbinë duhet të zhvillohet mbi parimet e sovranitetit, integritetit territorial dhe respektimit të barazisë ndërmjet palëve.

Serbia duhet të kuptojë se stabiliteti afatgjatë në Ballkan nuk ndërtohet duke mbajtur gjallë pretendime territoriale apo duke kontestuar vazhdimisht shtetësinë e Kosovës. Në të njëjtën kohë, Kosova duhet të vazhdojë ta forcojë diplomacinë e saj dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Së treti, zhvillimi ekonomik dhe rikthimi i besimit të qytetarëve. Kosova ka nevojë për investime, vende pune, institucione të besueshme, siguri juridike dhe perspektivë për brezat e rinj. Këto janë përgjegjësi që nuk mund të shtyhen pafundësisht për shkak të kalkulimeve partiake”, ka deklaruar Gashi.

Ai thekson se krahas këtyre sfidave, institucionet duhet të tregojnë përgjegjësi edhe për çështjet e ndjeshme që lidhen me Dhomat e Specializuara, duke ruajtur transparencën dhe maturinë diplomatike.

“Edhe çështjet e ndjeshme që lidhen me Dhomat e Specializuara kërkojnë përgjegjësi kushtetuese, transparencë dhe maturi diplomatike. Respektimi i sakrificës për lirinë e Kosovës dhe mbrojtja e shtetit të së drejtës duhet të trajtohen me seriozitetin që meritojnë.

Kosova ka kaluar nëpër një histori të dhimbshme për ta fituar lirinë dhe pavarësinë e saj. Pikërisht për këtë arsye, institucionet e saj nuk mund të trajtohen si instrumente të rivaliteteve të përditshme partiake.

Në një shtet demokratik, politikanët vijnë dhe shkojnë, qeveritë ndryshojnë dhe shumicat parlamentare ndërrohen. Por Republika mbetet. Institucionet mbeten. Përgjegjësia ndaj qytetarëve mbetet”, është shprehur ai.

Në fund, Gashi vlerëson se zgjedhja e Presidentes duhet të shërbejë si mundësi për një qasje të re politike, ku përgjegjësia shtetërore vendoset mbi interesat individuale dhe partiake.

“Prandaj, zgjedhja e Presidentes Justina Shiroka-Pula duhet të shënojë më shumë sesa përfundimin e një bllokade. Ajo duhet të shërbejë si një mundësi për një kulturë tjetër politike, ku përgjegjësia shtetërore vendoset mbi egon individuale dhe interesin partiak.

Normaliteti institucional nuk arrihet vetëm duke zgjedhur një Presidente në momentet e fundit të afateve kushtetuese. Ai dëshmohet atëherë kur institucionet funksionojnë çdo ditë, kur kompromiset arrihen në kohë dhe kur përgjegjësit politikë e kuptojnë se mandati i tyre është shërbim ndaj Republikës, jo privilegj personal.

Politika nuk është arti i bllokimit të shtetit. Politika është përgjegjësia për ta udhëhequr, zhvilluar dhe forcuar atë.

Kjo duhet të vlejë për çdo parti, për çdo deputet dhe për çdo përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Dhe në fund, dua të theksoj një parim themelor:

Askush nuk është më i madh se Republika e Kosovës. Asnjë parti, asnjë lider dhe asnjë ego personale nuk mund të qëndrojë mbi shtetin dhe institucionet e tij.

Kosova e ka fituar pavarësinë me shumë sakrifica. Tani përgjegjësia e klasës politike është ta dëshmojë çdo ditë se di ta udhëheqë dhe ta zhvillojë këtë shtet me dinjitet, përgjegjësi dhe vizion afatgjatë”, përmbylli Gashi për “Bota sot”.

Të Ngjashme