Lajme

​Kisha Serbe “mbron” Paunoviqin

(Reagim i Institutit “Octopus” ndaj deklaratës së Eparkisë së Rashkës-Prizrenit)

Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” e vlerëson deklaratën e Eparkisë së Rashkës-Prizrenit si një përmbledhje të narrativave manipuluese të Serbisë, e cila mbron në mënyrë implicite ministren Paunoviq.

Pas reagimeve të ashpra ndërkombëtare ndaj deklaratës për “spastrimin etnik të Kosovës”, Eparkia tenton shpërqendrimin nga përgjegjësia politike e Beogradit, duke përsëritur pretendimet viktimizuese për “diskriminimin, shtypjen dhe terrorin” ndaj serbëve në Kosovë.

Në komunikimin strategjik, ky është një model i njohur i menaxhimit të krizës informative, duke e transferuar narrativën te Kisha si institucion fetar me peshë morale dhe simbolike.

Deklarata “Pozita gjithnjë e më e rëndë e popullit serb dhe e Kishës në Kosovë e Metohi”, përdor një gjuhë që tejkalon shqetësimet për të drejtat fetare, duke përsëritur narrativën se gjoja serbët në Kosovë po përballen me “zhdukje të plotë”.

Një formulim i tillë, me ngarkesë politike e psikologjike, nuk ka për qëllim vetëm manipulimin e opinionit ndërkombëtar, por edhe ‘arsyetimin’ e deklaratës së Paunoviqit, duke projektuar një proces të ngjashëm me spastrimin etnik.

Kisha Ortodokse Serbe, e cila pak ditë më parë e dekoroi mohimin e Reçakut dhe “legalisten” e krimeve të luftës në Kosovë me “Urdhrin e Shën Savës” për Danica Marinkoviqin, aktivizohet si një faktor amortizues ndaj presionit ndërkombëtar, duke rehabilituar Millosheviqin dhe legjitimuar qëllimet e “Botës Serbe”.

Ky është projekti hegjemonist i përshtatur në rrethanat e pasluftës, të cilin Serbia synon ta avancojë përmes strategjisë hibride, duke relativizuar përgjegjësinë për krimet e dokumentuara dhe të dënuara ndërkombëtarisht.

Deklarata nuk prezanton asnjë fakt që do të mund të ishte objekt hetimi apo monitorimi ndërkombëtar, por amplifikon narrativat politike sipas të cilave institucionet e Kosovës janë mekanizëm sistematik diskriminimi, ndërsa Policia e Kosovës instrument i shtypjes etnike.

Për Institutin “Octopus” është veçanërisht shqetësues fakti se Kisha Serbe nuk distancohet nga deklarata e Paunoviqit dhe mbrojtja e Ivica Daçiqit, ndërsa pretendimet për diskriminim etnik e fetar i “bazon” në strategjinë hibride të sabotimit të Kosovës: eliminimin e strukturave ilegale si diskriminim institucional; integrimin e sistemit paralel të arsimit dhe shëndetësisë si cenim të qasjes; provokimet shoviniste si liri e shprehjes, etj.

Pretendimi i Kishës se pa reagim të menjëhershëm ndërkombëtar mund të ndodhë “zhdukja e popullit serb”, është konstruksion viktimizues me ton alarmist, që synon përmbysjen e roleve, me përceptimin për serbët si viktima ekzistenciale.

Kjo teknikë është përdorur vazhdimisht për ta relativizuar trashëgiminë e politikës së Millosheviqit dhe për ta paraqitur Serbinë si “mbrojtëse” të një populli të kërcënuar.

Në aspektin e luftës hibride, deklarata përmban elemente të qarta të operacioneve të ndikimit:

– transferim të narrativës nga aktorët politikë te autoriteti moral i Kishës;

– zhvendosje të vëmendjes nga deklarata e ministres Paunoviq te “diskriminimi i serbëve”;

– amplifikim të kërcënimit përmes termave si “zhdukje”, “presion sistematik” dhe “persekutim”;

– ndërkombëtarizim të narrativës përmes thirrjeve drejtuar KFOR-it, BE-së, OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare;

Ky është modeli i komunikimit strategjik të Serbisë, që e përdor viktimizimin si mekanizëm mbrojtës ndaj presionit ndërkombëtar, por edhe si instrument për ta kthyer presionin mbi komunitetin ndërkombëtar.

Instituti “Octopus” rikujton se mbrojtja e të drejtave dhe e trashëgimisë së komuniteteve pakicë, përfshirë Kishën Ortodokse Serbe, janë të garantuara në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, në bashkërendim dhe vlerësim me partnerët ndërkombëtarë.

Prandaj, ashtu si me retorikën e dënuar të ministres Paunoviq dhe kërkesën e përsëritur ndaj Vuçiqit për dorëzimin e “heroit” Radoiçiq, Bashkimi Evropian, NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta trajtojnë me seriozitet edhe kërcënimin që paraqet Kisha Serbe përmes glorifikimit të terroristëve dhe dekorimit të mohuesve të gjenocidit.

Nuk duhet lejuar që propaganda të maskohet si shqetësim humanitar.

Përndryshe, transformimi i një deklarate fetare në një mesazh të komunikimit strategjik është sfidë serioze për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Të Ngjashme