Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë mohuar se ka pasur një marrëveshje në parim me Lidhjen Demokratike të Kosovës për bashkëqeverisje, ashtu siç është raportuar në media.
Nezir Kraki nga LVV ka thënë se momentalisht nuk kanë arritur në fazën e diskutimeve për poste.
Ai në “Këndin e Debatit” në Tëvë1, tha se LDK-në e shohin si partinë me potencialin më të lartë për një marrëveshje.
“Momentin që po flasim tash nuk është bisedua. Lajmi nuk ishte i vërtetë. Nuk ka poste nuk jemi në atë stad. LDK-në e shohim pjesë me potencial të lartë të këtij establishmenti institucional nga i cili do të varet edhe shërbimi ne si qeveri që do ja ofrojmë qytetarëve dhe shtetit”, ka thënë Kraki.
Edhe sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ilir Ferati, ka mohuar raportimet për një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për bashkëqeverisje.
Ai ka thënë se raportimet janë spekulime, sidomos në kohën aktuale.
“Krejtësisht propagandë, spekulim në një nivel jo të mirë, sidomos në kohën kur ndodhi. Pa prapë po e citoj, pa burim të informatës, pa citim të ndonjë eksponenti ose të ndonjë informate zyrtare nga LDK-ja, është spekulim, nuk qëndron. Përndryshe, kryetari i ka deklaruar dje qëndrimet e veta përmes video-mesazhit edhe ka cilësuar nevojën që kemi me pezullu negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje, deri sa të zgjidhen çështjet tona të brendshme”, tha ai.
