Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, mori pjesë në Konferencën Rajonale “Krimi i Organizuar në Burgje”, e cila po mbahet me 2 dhe 3 shtator 2026 në Shkup.
Konferenca, me temën “Forcimi i integritetit, inteligjencës dhe bashkëpunimit në Evropën Juglindore”, u organizua nga Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shkup dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut.
Në këtë konferencë po marrin pjesë përfaqësues të institucioneve korrektuese, institucioneve të sigurisë, policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit, si dhe përfaqësues të strukturave përgjegjëse për luftimin e krimit nga vendet e Evropës Juglindore. Në konferencë morën pjesë gjithashtu përfaqësues të organizatave dhe rrjeteve ndërkombëtare të fushës korrektuese, përfshirë ICPA dhe EuroPris, si dhe përfaqësues të institucioneve korrektuese nga shtete të ndryshme evropiane.
Gjatë konferencës u diskutua për sfidat që paraqet krimi i organizuar në institucionet korrektuese, mënyrat e parandalimit dhe adresimit të veprimtarive kriminale, forcimin e integritetit institucional, si dhe rëndësinë e inteligjencës dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet institucioneve homologe.
Vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rajonal, si dhe zhvillimit të mekanizmave të përbashkët për parandalimin dhe adresimin e rreziqeve të sigurisë që lidhen me krimin e organizuar në burgje.
“Pjesëmarrja e Drejtorit të Përgjithshëm, z. Ismail Dibrani, përbëri një mundësi të rëndësishme për Shërbimin Korrektues të Kosovës për të ndarë përvojat dhe praktikat e tij me institucionet homologe të rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë, si dhe për t’u njohur me qasjet dhe praktikat e vendeve të tjera evropiane në adresimin e sfidave të sigurisë në sistemet korrektuese”, thuhet në njoftim.
Konferenca shërben gjithashtu si një platformë e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve korrektuese të rajonit dhe Evropës, krijimin e kontakteve të reja profesionale dhe identifikimin e mundësive për bashkëpunim të mëtejshëm në fushën e sigurisë, inteligjencës, integritetit institucional dhe parandalimit të krimit të organizuar në sistemet korrektuese.
