Ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, deklaron se kriza aktuale energjetike në Kosovë mund të ishte shmangur nëse do të vazhdoheshin projektet për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike dhe rehabilitimin e termocentraleve ekzistuese.
Madje, Çeku nuk përjashton mundësinë që të rritet çmimi i energjisë elektrike, varësisht nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe krizat globale.
Duke komentuar vendimin e qeverisë për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, Çeku thotë se zgjidhja e qëndrueshme mbetet rritja e prodhimit vendor përmes investimeve në kapacitete të reja energjetike, pasi vendi po paguan kosto të larta për importin e energjisë elektrike.
Për KosovaPress, Çeku thotë se mos zhvillimi i projekteve të atëhershme, përfshirë “Kosova e Re” dhe “Kosova C”, e ka lënë vendin të varur nga importi i energjisë elektrike.
Çeku: Kriza energjetike mund të ishte shmangur me ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese
“Po normal, ka mund të mos vijë deri te kjo pikë. E, si do të kishim mundur? Po, të ishin vazhduar projektet e energjisë nga linjiti, të ishin zhvilluar projektet e atëhershme, Kosova e re, Kosova C, që ka qenë zgjidhje, jo vetëm për furnizim, por edhe zgjidhje për shumë probleme të tjera. Domethënë, ndërtimi i kapaciteteve të reja të energjisë elektrike, jo vetëm atë kohe, që është biseduar që ishte projekt i avancuar, por edhe ndërtimi i ndonjë blloku prej 500 megavateve, e kishte bërë Kosovën stabile për furnizim me energji elektrike, duke pasur prodhimin e vet vendor. Domethënë, ishte zgjedhur dhe kostoja e ndërtimit do të kishte qenë shumë më e lirë sesa kostoja e importit që e kemi bërë deri më tani. Edhe në aspektin financiar, ekonomik, shteti ynë kishte, kishte pasur një leverdi financiare diku mbi 40-50 për qind në përafërsisht një leverdi të tillë. Prandaj, ndërtimi i kapaciteteve të reja, rehabilitimi i blloqeve të thella, rehabilitim të thellë të Kosova A dhe Kosova B, zhvillimi i sektorit më të fuqishëm të energjisë së gjelbër, e kishte zgjedhur gjithsesi problemet e Kosovës me furnizim të energjisë e jo në këtë kohë, tani në prag, kur jemi futur në dimër, ne kemi tani telashe me furnizim energji elektrike”, deklaron Çeku.
Çeku paralajmëron se situata aktuale është veçanërisht shqetësuese për sektorin e biznesit, i cili po përballet me kosto të larta të prodhimit për shkak të përdorimit të gjeneratorëve dhe çmimit të naftës.
Ai thotë se kjo situatë po rëndon edhe buxhetet familjare, ndërsa ka shprehur shqetësimin se kostot e larta të energjisë mund t’i shtyjnë bizneset vendore që investimet dhe prodhimin t’i zhvendosin në shtete të tjera.
Çmimi i lartë i energjisë po rëndon bizneset dhe rrezikon prodhimin vendor
“Është alarmante për bizneset. Biznesi ynë tani punon me gjeneratorë dhe llogaritni çmimin e naftës për gjeneratorët deri në çfarë kosto ka shkuar dhe e shihni sa ngarkohet prodhimi në fushën e prodhimit të mishit. E gjithë industria në Kosovë, çfarëdo qoftë ajo, sidomos sektori privat është i ngulfatur nga çmimet e shtrenjta të prodhimit të energjisë përmes gjeneratorëve. Buxheti familjar yni do të ngarkohet, po ngarkohet vazhdimisht me çmime jo të lira të energjisë elektrike… Qeveria e Kosovës duhet të veprojë urgjentë në rehabilitimin e blloqeve, ndërtimin e një kapaciteti të ri, ndërtimin e një blloku tjetër me gaz amerikan, gypat janë të rregullt që e zbret kosto. Më lirë na kushton prodhimi i energjisë nga linjiti, po ashtu nga gazi amerikan, sesa blerja e energjisë me çmime të shtrenjta dhe ashtu pagesa të majme për transitin e rrugëve që paguajnë institucionet tona për prurjen e energjisë në Kosovë. Këto hapa, qeveria duhet t’i bëjë, në mënyrë të ikë nga një kurth energjetik që është vendosur vendi ynë. Kosova duhet të orientohet në burimet alternative, të cilat janë të pashmangshme – energjia solare dhe energjia e erës… Qeveria duhet të shtyjë më shumë prodhimin vendor sesa të blejë energji me kosto tepër të shtrenjtë dhe me një çmim i cili e ngarkon biznesin dhe ekonominë e Kosovës”, tha Çeku.
Ish-ministri paralajmëron gjithashtu se çmimet e energjisë mund të vazhdojnë të rriten, varësisht nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe krizat globale.
Çeku: Çmimet e energjisë do të rriten, bizneset rrezikojnë të zhvendosin prodhimin jashtë Kosovës
“Po, varet edhe nga çmimi i tregut. Çmimet po, do të rriten. Çmimet, nuk ka rënie. Mund të ketë lëvizje në kohë pas kohe. Po ashtu, siç po sillen krizat e mëdha globale, të cilët tregu i jonë është tepër i ndjeshëm që dridhet. Ne nuk i ndërtuam ende çështjen e baterive, na mbetën… (Rritja e çmimit) Normal, sepse duhet paguar dikush. E paguajnë qeveria, por qeveria ndërton buxhetin nga taksat tona. Nuk është çështje se kush do ta paguajë. Edhe subvencionet, buxheti është i ndërtuar nga qytetarët, biznesi yni, bizneset e Kosovës që edhe kështu po e paguajnë çmimet e larta. Çfarë është risku? Risku është ikja e prodhimit vendor jashtë vendit, për shkak të kostos së lartë të energjisë. Duhet të ndërpritet politizimi skajshëm i problemit të energjisë. Duhet të ndërtohet një grup punues, i cili e ka, përmes parlamentit që e ka për detyrë dhe qeverisë, me arritur me zhvilluar sektorin. Duhet të ndërtohet një konsensus politik për ta shtyrë dhe për ta mbështetur sektorin e energjisë që të zhvillohet. Ndryshe, kështu çfarë po e veprojnë vendi yni, në vitet e ardhshme ka me paguar edhe disa herë çmime shumë më të shtrenjta për energji”, nënvizon Çeku.
Qeveria e Kosovës të hënën ka miratuar propozimin për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe. Kryeministri Albin Kurti tha se ky vendim vjen si përgjigje ndaj bllokimit të dy linjave të interkoneksionit 400 kilovolt nga Serbia, të cilat, sipas tij, pamundësojnë transitin e energjisë elektrike nga shtetet e tjera drejt Kosovës.
Ai ka theksuar se këto linja nuk janë të nevojshme për importimin e energjisë nga Serbia, por për mundësimin e qarkullimit të lirë të energjisë elektrike nga vendet e tjera.
Ai ka bërë të ditur se në këtë fazë do të përjashtohet furnizuesi i themeluar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për energjinë.
Megjithatë, Kurti ka paralajmëruar se nëse nuk ka reflektim nga autoritetet e Serbisë, Qeveria mund të përshkallëzojë masat, përfshirë edhe mundësinë e prekjes së këtij furnizuesi dhe rishqyrtimin e tërësishëm të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit për energjinë.
