Shëndetësi

Kujdes çfarë hani! Ushqimet e përpunuara lidhen me rrezikun e goditjes në tru dhe dëmtimit të kujtesës

Petë të çastit, pije freskuese, drithëra mëngjesi të ëmbëlsuara dhe ushqime të gatshme: Ushqimet ultra të përpunuara nuk nënkuptojnë vetëm mungesën e drithërave dhe proteinave të rekomanduara, por mund t’ju ekspozojnë gjithashtu ndaj rrezikut të një „goditjeje të heshtur në tru“ dhe të rënies së aftësive njohëse në moshën e mesme, thonë studiuesit në Kanada.

Pas testimit të rreth 9.000 personave në Kanada, të moshës 35 deri në 69 vjeç, shkencëtarët nga Universiteti McMaster dhe Instituti i Kërkimeve për Shëndetin e Popullsisë (PHRI) zbuluan se personat me „konsumin më të lartë“ të ushqimeve të përpunuara kishin 40% më shumë gjasa të shfaqnin një formë dëmtimi të trurit, e cila „mund të rrisë gjasat për një goditje klinike në tru dhe probleme të kujtesës në të ardhmen“.

Goditjet e heshtura në tru nuk shfaqin simptoma të dukshme, por shkaktojnë dëmtime të përhershme dhe konsiderohen si shenja të hershme paralajmëruese, të cilat mund të shfaqen vite përpara një goditjeje të rëndë në tru.

“Sinqerisht, nuk do ta kisha pritur këtë rezultat“, tha Russell de Souza, profesor i asociuar në Universitetin McMaster dhe studiues në PHRI, i cili theksoi se ky ndikim zakonisht “lidhet me gjendje për të cilat dëgjojmë dhe që i trajtojmë në një moshë shumë më të madhe“.

Sipas studiuesve, ushqimet e përpunuara përbënin rreth 25% të dietës së pjesëmarrësve, megjithëse te disa persona kjo përqindje arrinte në 40%, duke zënë vendin e ushqimeve të shëndetshme në regjimin e tyre ushqimor. Kështu bëri të ditur ekipi, studimi i të cilit u botua në revistën JAMA Network Open, një revistë e Shoqatës Mjekësore Amerikane.

“Gjetjet tona sugjerojnë se lidhja midis ushqyerjes dhe shëndetit të trurit mund të jetë e dallueshme përpara se njerëzit të përjetojnë probleme të dukshme me kujtesën ose të menduarit“, tha Sonia Anand nga PHRI, duke paralajmëruar se ajo që njerëzit hanë kur janë të rinj mund të ndikojë në aftësitë e tyre njohëse më vonë gjatë jetës.

Sipas studiuesve, mund të nevojiten studime afatgjata, duke përfshirë përdorimin e skanimeve me rezonancë magnetike (MRI), për të hetuar më tej këtë lidhje.

Në shtator, një ekip nga Universiteti i Kalifornisë bëri thirrje për testime në shkallë të gjerë për të konfirmuar një lidhje midis zakonit të konsumimit të ushqimeve të pashëndetshme dhe cenueshmërisë ndaj depresionit, pasi 20 pacientë raportuan përmirësim të simptomave, siç ishte ulja e ankthit, pas kalimit në një dietë më të shëndetshme./DPA News

Të Ngjashme