Lajme

Kurti për bazën e Wizz Air në Prishtinë: Lajm i mirë për Kosovën dhe zhvillimin ekonomik

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si lajm të mirë vendimin e kompanisë ajrore Wizz Air për vendosjen e bazës së saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Kurti ka thënë se vendosja e bazës, së bashku me sjelljen e avionit të ri Airbus A321neo me kapacitet prej 239 ulësesh, përbën një zhvillim të rëndësishëm për vendin.

Sipas tij, ky hap tregon se Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë një adresë për kompanitë ndërkombëtare, si një vend me perspektivë dhe potencial për investime.

“Për ne shtimi i linjave ajrore është çështje strategjike”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se zhvillime të tilla ndikojnë në fuqizimin ekonomik, infrastrukturor dhe zhvillimor të vendit.

Ai ka theksuar se zgjerimi i lidhjeve ajrore krijon mundësi të reja për qytetarët, lehtëson lëvizjen, afron mërgatën me vendlindjen dhe forcon lidhjet e Kosovës me Evropën./teve1.info/

Të Ngjashme