Lajme

Kurti për masakrën e familjes Deliu: Drejtësia është detyrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar 28-vjetorin e masakrës së familjes Deliu në Abri të Epërme të Drenasit, ku më 26 shtator 1998 u vranë 23 anëtarë të familjes shqiptare.

Kurti ka përmendur viktimat e moshave të ndryshme, nga foshnjat dhe fëmijët e vegjël deri te më i moshuari, Fazli Deliu, 94 vjeç.

“Nga foshnja në barkun e nënës Luljetë, të cilën ajo do ta quante Malësor ose Malësore, te Mihanja e cila një ditë më parë kishte mbushur 28 vjet dhe i biri i saj Valmiri, i cili kishte pesë ditë që i kishte mbushur dy vjet, te Lumnija dhe foshnja e saj në javën e gjashtë të jetës Dituria, e cila i mbijetoi masakrës por vdiq 54 ditë më vonë, tek Antigona dhe Mihanja 14 dhe 16 vjeçe, e deri te më i vjetri, Fazli Deliu, 94 vjeç”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se përmasat dhe mënyra e kryerjes së krimeve ndaj familjes Deliu, sipas tij, dëshmojnë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Kurti ka përmendur edhe rastet e vrasjes së grave dhe fëmijëve, si dhe trajtimin e trupave të viktimave, duke i cilësuar këto si dëshmi të mizorisë së ushtruar ndaj shqiptarëve gjatë luftës.

Sipas tij, po më 26 shtator 1998, forcat serbe kryen një tjetër masakër në fshatin Gollubovc të Malishevës, ku civilë shqiptarë u lidhën, u torturuan dhe më pas u ekzekutuan.

“Drejtësia është detyrim dhe më e pakta që duhet bërë për viktimat dhe familjet, andaj trysnia ndërkombëtare ndaj fqinjit verior duhet të jetë më e madhe se kurrë më parë”, ka deklaruar Kurti./teve1.info/

 

Të Ngjashme