Lajme

Kurti së bashku me bashkëshorten në Pallatin Élysée, Macron i pret në mbrëmjen presidenciale në Paris

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po qëndron në Francë, ku me ftesë të presidentit Emmanuel Macron, mori pjesë në Forumin e Paqes në Paris.

Gjatë qëndrimit atje, Kurti ka publikuar në rrjetet sociale një video nga darka e organizuar nga presidenti francez, në Pallatin Élysée.

Në pamjet e publikuara, kryeministri shfaqet së bashku me bashkëshorten e tij, Rita Augestad Knudsen, teksa priten nga presidenti Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron.

“Bashkë me Ritën ishim të nderuar të marrim pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë Brigitte Macron, në Pallatin Élysée, në kuadër të Forumit të Paqes në Paris”, ka shkruar Kurti krahas videos së publikuar në rrjetet sociale.

Gjatë qëndrimit në Paris, Kurti ka zhvilluar edhe një varg takimesh. Ai është takuar me presidentin e Senatit të Francës, Gerard Larcher, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet Kosovë-Francë, zhvillimin ekonomik, si dhe aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Kurti është takuar edhe me kryetarin e Parisit, Emmanuel Gregoire, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin në fushën e banimit të përballueshëm dhe social, si dhe për forcimin e lidhjeve kulturore mes Kosovës dhe kryeqytetit francez.

Para hapjes së Forumit të Paqes, Kurti ka zhvilluar takim edhe me disa personalitete franceze që kanë kontribuar në çështjen e Kosovës, përfshirë ish-ministrin francez të Mbrojtjes, Alain Richard, si dhe figura nga akademia, kultura dhe drejtësia ndërkombëtare. Në këto takime është diskutuar për zhvillimet demokratike, ekonomike e të sigurisë, si dhe për vendimin e 16 shtatorit të Gjykatës Speciale dhe përpjekjet për ndryshimin e tij në apel.

Ndërkaq, në kuadër të Forumit të Paqes, Kurti ka marrë pjesë në panelin “Making Peace Last: Rebuilding Societies After War”, ku ka folur për demokracinë, zhvillimin ekonomik e social, arsimin dhe rëndësinë e investimeve në infrastrukturë.

Vizita e Kurtit në Francë nisi më 7 nëntor. Darka është pjesa përmbyllëse e kësaj vizite.

Të Ngjashme