Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim mirëseardhës ambasadorin e ri jo-rezident të Australisë në Republikën e Kosovës, Glenn Morrison, i cili do të shërbejë nga Kroacia.
Sipas njoftimit, Republika e Kosovës është falënderuese e mirënjohëse për ndihmën dhe mbështetjen e Australisë, që nga pranimi dhe strehimi i mijëra refugjatëve gjatë luftës së fundit, njohja e menjëhershme e pavarësisë dhe përkrahja në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
“Pas diskutimeve fillestare ndërmjet ministrive të jashtme të të dyja vendeve në Canberra në korrik të vitit 2024, Republika e Kosovës është e interesuar për një rund të dytë bisedimesh në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se krahas marrëdhënieve dypalëshe dhe mundësive për thellimin e bashkëpunimit në ekonomi, tregti, industri, miniera, energji dhe mbrojtje, në takimin me ambasadorin Morrision, diplomat me përvojë dhe njohuri për Ballkanin Perëndimor, u diskutua edhe për aktualitetet politike dhe zhvillimet rajonale.
