Emri i saj është kthyer në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare, duke u lidhur me një nga thashethemet më të diskutuara rreth çiftit presidencial francez. Kush është aktorja iraniane, Golshifteh Farahani, për të cilën flitet se mund të ketë nxitur xhelozinë e Brigitte Macron?
Sipas gazetarit politik të revistës Paris Match, Florian Tardif, mesazhet që Brigitte Macron pa në telefonin e bashkëshortit të saj dhe që shkaktuan tension mes çiftit përmbanin komente për aktoren, ku thuhej se ajo “është shumë e bukur”.

E njohur jo vetëm për talentin artistik, por edhe për qëndrimet e saj të forta politike dhe sociale, Golshifteh Farahani ka kritikuar shpesh regjimin iranian për kufizimet ndaj grave dhe mungesën e lirisë artistike.

Farahani lindi dhe u rrit në Teheran. Babai i saj, Behzad Farahani, ishte regjisor dhe aktor teatri, ndërsa nëna e saj, Fahimeh Rahiminia, ishte aktore. Që e vogël ajo tregoi interes për artin. Në moshën 5 vjeçare nisi të merrej me piano, ndërsa më vonë u fokusua te aktrimi, duke fituar eksperiencë që në adoleshencë.
Emri “Golshifteh” u krijua nga i ati dhe do të thotë “lulja që dashuron”, ndërsa emri i saj i vërtetë është Rahavard.

Karriera e saj mori hov në vitin 1998, kur ishte vetëm 14 vjeç. Ajo u përzgjodh për rolin kryesor në dramën romantike iraniane “The Pear Tree”. Filmi u vlerësua shumë si në Iran ashtu edhe ndërkombëtarisht, duke e bërë Farahanin një emër të njohur dhe duke i hapur rrugën roleve të tjera protagoniste në filma si “Two Angels”, “The Fish Fall in Love” dhe “The Music Man”.
Në vitin 2008, Farahani hyri në tregun amerikan të kinemasë. Ajo interpretoi përkrah Leonardo DiCaprio dhe Russell Crowe në filmin aksion-thriller “Body of Lies”, duke fituar menjëherë vëmendjen e publikut dhe kritikës si një nga aktoret më premtuese me origjinë iraniane.

Në vitin 2016, Farahani luajti përkrah Adam Driver në filmin “Paterson”, me regji të Jim Jarmusch, i cili u publikua në dhjetor të atij viti.

Përtej suksesit në ekran, Golshifteh Farahani është shndërruar edhe në një zë të fuqishëm kundër regjimit në Iran. Ajo ka folur hapur për klimën e frikës që ka shoqëruar fëmijërinë e saj dhe ka mbështetur fuqishëm protestat kundër regjimit.
Farahani jeton në mërgim që prej vitit 2008, pasi autoritetet iraniane e ndaluan të kthehej në vend për shkak se refuzoi të mbante hixhab gjatë interpretimeve në filma ndërkombëtarë.
/tiranapost
