Një arratisje e denjë për një skenar filmi ka ndodhur në Greqi teksa një 41-vjeçari shqiptar i identifikuar si Gentian Çipi u arratis mbrëmjen e së premtes nga zona e Spitalit të Përgjithshëm të Serresit, pasi një grup bashkëpunëtorësh të armatosur i zunë pritë automjetit që po e transportonte nga burgu drejt spitalit.
Sipas raportimeve të publikuara gjatë ditës së sotme, ngjarja ndodhi rreth orës 23:30, në ambientet e jashtme të spitalit, pranë repartit psikiatrik.
Në automjet ndodheshin Çipi dhe dy punonjës që e shoqëronin. Në një moment, pranë mjetit u shfaqën dy automjete që ngjanin me makina policie.
Personat që ndodheshin në to iu afruan eskortës dhe, nën kërcënimin e armëve, neutralizuan dy shoqëruesit.
Autorët më pas nxorën Gentian Çipin nga automjeti dhe e ndihmuan të largohej. Sipas informacioneve të raportuara, grupi mori edhe armën e shërbimit të njërit prej punonjësve të burgut, përpara se të largohej me automjetet.
Si u arratis dhe çfarë po heton policia?
Sipas autoriteteve greke arratisja ishte e mirëorganizuar dhe e planifikuar nga bashkëpunëtorë të jashtëm.
Dy automjete të ngjashme me makinat e policisë iu afruan eskortës, personat e armatosur neutralizuan shoqëruesit dhe më pas nxorën Çipin nga automjeti.
Fakti që në njërën prej makinave u gjet një kallashnikov dhe se një tjetër automjet u gjet i djegur ka shtuar dyshimet se grupi kishte përgatitur disa mjete për largimin dhe për humbjen e gjurmëve. Policia greke vijon kërkimet për Çipin dhe bashkëpunëtorët e tij.
Një makinë gjendet e aksidentuar, në të gjendet kallashnikov
Hetimi i policisë greke ka sjellë tashmë edhe detaje të reja. Pranë spitalit, mes kallamishteve, është gjetur një automjet i aksidentuar, i dyshuar se është përdorur nga autorët e arratisjes.
Sipas të dhënave paraprake, gjatë largimit automjeti ka goditur diku dhe një prej personave që ndodheshin në të dyshohet se është plagosur në kokë. Brenda makinës policia ka gjetur një kallashnikov dhe municione, ndërsa po merren mostra për ekzaminim kriminalistik.
Pak më herët, policia kishte gjetur edhe një automjet të djegur plotësisht në Vrasna, në territorin e Bashkisë së Volvit.
Hetuesit po verifikojnë nëse edhe kjo makinë është përdorur në operacionin e arratisjes. Autoritetet po rindërtojnë itinerarin e grupit dhe po kërkojnë si Çipin, ashtu edhe bashkëpunëtorët e tij.
Gentian Çipi është 41 vjeç, nga Korça dhe banues në Dishnicë. Sipas raportimeve të sotme, ai ka precedentë penalë si në Shqipëri, ashtu edhe në Greqi.
Në Shqipëri, Çipi rezulton të jetë dënuar në korrik 2024 me dy vite burgim për veprën penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr”, në bashkëpunim dhe në rrethana rënduese. Çështja lidhej me djegien e një automjeti më 24 prill 2023, në lagjen 13, në rrugën “Loni Grazhdani” në Korçë.
Më herët, në janar 2023, emri i tij ishte përfshirë edhe në operacionin “Fijet”, pasi policia kishte evidentuar kamera të vendosura në mënyrë të paligjshme pranë banesës së tij.
Dosja më e rëndë që e lidh Çipin me drejtësinë greke është një tentativë vrasjeje në Selanik.
Sipas policisë greke, më 3 shtator 2024, në zonën e Pylaia-s, pranë një pike ushqimore, u qëllua me armë ndaj një 25-vjeçari grek. I riu u godit nga tre plumba, por mbijetoi. Autoritetet greke dyshuan se personi që hapi zjarr ishte Gentian Çipi.
Pas hetimit, policia greke e identifikoi Çipin dhe në shtator 2025 zhvilloi një operacion për arrestimin e tij dhe të dy personave të tjerë nga Korça, Enea Basholli dhe Kleo Topa. Sipas autoriteteve greke, Çipi konsiderohej drejtues i një grupi të dyshuar për trafik droge dhe veprime të dhunshme kriminale.
Gjatë operacionit të arrestimit, Çipi dhe Topa tentuan t’i shpëtonin policisë, duke mos iu bindur urdhrit për ndalim, duke kryer manovra të rrezikshme dhe duke përplasur një automjet policie. Ata u larguan në këmbë, por u kapën më pas.
Në kontrollet e kryera nga autoritetet greke u sekuestruan:
-një kallashnikov me 30 fishekë;
-rreth 31 kilogramë marijuanë;
-një pasaportë dhe një patentë të falsifikuar;
