Bota

Kush janë problematikët e rinj të Europës?

Pas Hungarisë, vëmendja e Bashkimit Europian po zhvendoset drejt Bullgarisë dhe Rumanisë, vende që sipas një analize të revistës The Economist po shfaqen si “problematikët” e rinj të Europës për shkak të rritjes së populizmit euroskeptik dhe forcimit të figurave me qëndrime miqësore ndaj Rusisë.

Në Bullgari, Rumen Radev u betua si kryeministër më 8 maj, pasi fitoi zgjedhjet parlamentare të muajit prill. Ai konsiderohet një politikan populist me qëndrime të afërta me Moskën dhe gjatë fushatës premtoi luftë ndaj korrupsionit dhe elitave tradicionale politike. Fitorja e tij vjen pas viteve të krizës politike dhe zgjedhjeve të përsëritura që kanë lodhur elektoratin bullgar.

Ndërkohë në Rumani, situata politike është po aq e tensionuar. Kryeministri liberal u rrëzua nga një mocion mosbesimi i mbështetur si nga socialistët e qendrës së majtë, ashtu edhe nga partia nacionaliste e djathtë AUR, e cila po fiton gjithnjë e më shumë terren mes pakënaqësisë popullore për inflacionin, kostot e jetesës dhe krizën ekonomike.

Sipas analizës, korrupsioni dhe inflacioni po shndërrohen në faktorët kryesorë që ushqejnë rritjen e forcave anti-BE dhe anti-establishment në Europën Juglindore. Në të dy vendet, një pjesë e madhe e qytetarëve ndihen të zhgënjyer nga partitë tradicionale dhe po kërkojnë alternativa radikale.

Artikulli ndalet edhe te qëndrimet ndaj luftës në Ukrainë. Radev ka kritikuar vazhdimin e dërgesave të armëve për Kievin dhe sanksionet ndaj Rusisë, duke argumentuar se ato po dëmtojnë ekonominë europiane. Këto deklarata kanë ngritur shqetësim në Bruksel, në një moment kur Bashkimi Europian po përpiqet të ruajë unitetin përballë Moskës.

Analiza paralajmëron se, ndërsa Hungaria e Viktor Orban duket se ka humbur rolin e saj si sfiduesja kryesore e BE-së, Bullgaria dhe Rumania mund të shndërrohen në burimin e ri të tensioneve politike brenda Europës.

/tiranapost

Të Ngjashme